Trashëgimi

Objekti i Kajmekamit në Gjilan

diniShkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK – Gjilan

Në qendër të qytetit të Gjilanit gjendet objekti i Kajmekamllëkut, i ndërtuar në gjysmën e shek.  XIX. Ky objekt fillimisht ka pasur funksion të banimit, ndërsa më vonë me ndërrimin e pushteteve është shfrytëzuar si ndërtesë administrative për nevojat e zyrtarëve komunalë. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore kjo ndërtesë mbajti erë gjaku të shqiptarëve të therur nga forcat serbe, të ashtuquajtura partizane. Kah fundi i shek. XX kanë qenë të vendosura zyrat e Mbrojtjes Popullore Komunale të ish Jugosllavisë. Pas luftës së fundit, një kohë, në këtë objekt ka vepruar logjistika e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Trupave Mbrojtëse të Kosovës të Zonës Operative të Karadakut dhe më pas qe zyra e kryetarit të komunës. Në vitin 2015, kryetari i tanishëm i Gjilanit, z. Lutfi Haziri, këtë objekt ia dedikoi muzeut të Gjilanit, i cili po pret të hapet së shpejti.

Ndërtimi i takon tipit  shtëpi me elemente të stilit neoklasik. Materiali i përdorur për ndërtim, kryesisht është guri, tulla, llaçi prej gëlqereje dhe druri. Objekti ka dy etazhe dhe bodrumin. Në kat ndodhet dhoma e pritjes së kajmekamit, e cila del nga muri perimetral, – një imitim i çardakut, i cili përposh qëndron mbi katër shtylla të muruara me tulla, të cilat kanë kapitele të stilit dorik. Ndërsa, vetë shtyllat lidhen mes vete me arkada gjithashtu të muruara me tulla të kuqe.

Dera hyrëse është me gjysmëhark, nga e cila kalohet në një korridor të gjerë, anash të cilit janë tetë kthina. Kjo derë komunikon drejtpërdrejt me rrugën kryesore. Një hyrje tjetër, që të nxjerrë në kopsht, zbret nëpërmjet shkallëve me kthesë e pushimore deri në bodrum.

Katet komunikojnë me shkallë të brendshme prej guri. Edhe kati ka korridor të gjerë, ndërsa anash ka 6 kthina, për të përfunduar në ballë të tij me dhomën e pritjes, e cila i përkiste kajmekamit.  Kjo dhomë komunikon me dy dhomat anash me dyer të posaçme. Dekorime të veçanta vërehen në dritaret e katit dhe në enterier  të dhomës së pritjes. Dhomat përgjithësisht janë të dritësuara mirë sepse kanë dritare të mëdha.

Kulmi i objektit është katërujës.

Që nga koha e ndërtimit, objekti nuk ka pësuar ndryshime të mëdha, përveç restaurimit të fasadës dhe ndërrimit të kulmit.

Kjo ndërtesë paraqet një shembull të veçantë të arkitekturës të dalluar nga shtëpitë e tjera të qytetit dhe ka vlerë historike të vjetërsisë.

You Might Also Like