Ish-portieri i FC Dritës, Xhemal Zeqiri, i cili për katër vite mbrojti ngjyrat bardh e kaltër të klubit gjilanas, ka nderuar Ditën e Pavarësisë së Kosovës me një ndeshje miqësore në Gjilan. Ai u paraqit me ekipin e veteranëve të KF Kumanova, ndërsa në këtë takim morën pjesë edhe veteranët e Drenicës, FC Dritës dhe SC Gjilanit.
I njohur si “Panteri i Kumanovës”, Xhemal Zeqiri e nisi karrierën e tij në moshën 15-vjeçare dhe gjatë viteve mbrojti portën e klubeve të njohura si KF Kumanova, Ramiz Sadiku, Prishtina, Liria, KF Ballkani (Shkup), Shkëndija e Haraçinës dhe Cementara (Shkup).
Me FC Dritën, Zeqiri arriti të fitojë titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës, duke qenë pjesë e një periudhe të artë të klubit. Sot, në moshën 62-vjeçare, ai e përjetoi këtë ditë historike duke e bërë edhe më madhështore me pjesëmarrjen e tij në këtë ndeshje festive.
“Vitet po kalojnë, por kujtimet mbeten. Jam krenar që isha pjesë e FC Dritës, ku kam kaluar momentet më të bukura të jetës sime si futbollist. Ishin kohë të lavdishme menjëherë pas luftës, kur të luaje në stadiumet e Kosovës ishte një ndjenjë krenarie. Më bën të lumtur që qytetarët e Gjilanit dhe tifozët ‘Intelektualët’ më respektojnë ende sot. Nga zemra, bashkë me gjithë shokët e mi nga Kumanova, i uroj popullit të Kosovës 17-vjetorin e pavarësisë,” ka thënë legjenda e gjallë, Xhemal Zeqiri.
Ky gjest i tij është një dëshmi e fortë e lidhjes së tij me Kosovën dhe futbollin kosovar, duke treguar se sporti mbetet një urë e fuqishme që bashkon njerëzit përtej kufijve.