OPINION

Pas përfundimit të stinorit vjeshtor, Gjilani më afër barazhit se sa Evropës

Shkruan: Enver Sadiku

Pasi i kishin shpëtuar barazhit në kampionatin 2023/2024, SC Gjilani i kishte marrë të gjitha masat që në stinorin vijues të synojnë kreun. Sollën drejtorë të ri të klubit, stafin teknik krejtësisht të ri me në krye Ardian Nuhiun, emër i njohur në Gjilan, larguan lojtarët e panevojshëm e sollën lojtarë cilësorë, disa prej të cilëve emra të mëdhenj të futbollit, por tashti kur po nis pushimi dimëror, përfundimi del se nuk ka mjaftuar loja e mirë e këtyre lojtarëve, ngase ekipi nuk siguroi pikë të mjaftueshme dhe SC Gjilani është më afër barazhit se sa Evropës.

Kështu, pas përfundimit të stinorit vjeshtor, Gjilani do të mbetet në pozitën e gjashtë me 21 pikë të fituara, me goldallim të barabartë, 26 të shënuar dhe po aq të pranuar. Dhe nëse krahasohen me ekipet tjera të Superligës del se Gjilani kishte sulmin ndër më të mirin, por këto fjalë nuk mund të thuhen edhe për mbrojtjen, e cila është ndër më të dobëtat në ligë.

Kështu, pas 18 ndeshjeve të zhvilluara, SC Gjilani nga 54 pikë të mundshme ka marrë 21 sosh, apo 38.89 përqind të pikëve. Gjatë stinorit vjeshtor, Gjilani ia doli që në portën e kundërshtarëve të shënojë 26 herë, apo mesatarisht 1.44 gola për ndeshje, kurse sa i përket golave të pranuar portierët e Gjilanit, Kenan Haxhihamza dhe Arjon Bllaca 26 herë nxorën topin nga rrjeta, apo mesatarisht pranuan nga 1.44 gola për ndeshje, duke e lënë rrjetën e paprekur vetëm në tri ndeshje.

Golashënuesi më i mirë i Gjilanit ishte Senad Jaroviq, që tundi rrjetat kundërshtare 7 herë, një prej tyre nga penaltia, 4 herë shënoi Armend Thaqi, një prej golave nga penaltia e statistika të njëjta pati edhe Edi Basha, që shënoi 4 herë, një prej golave nga penaltia.

Në të gjitha këto statistika e mira qëndron se SC Gjilani mund të përmirësohet në pranverë, kurse daljen në Evropë mund t’a kërkojë edhe nëpërmjet ndeshjeve të Kupës.

Ja të gjitha rezultatet e SC Gjilani:

Llapi – Gjilani 1:1

Gjilani – Ballkani 1:1

Dukagjini – Gjilani 2:1

Suhareka – Gjilani 3:2

Gjilani – Feronikli 2:0

Mlisheva – Gjilani 2:1

Gjilani – Prishtina 2:1

Drita – Gjilani 1:1

Gjilani – Ferizaj 1:2

Gjilani – Llapi 2:1

Ballkani – Gjilani 3:3

Gjilani – Dukagjini 1:2

Gjilani – Suhareka 1:1

Feronikli – Gjilani 0:3

Gjilani – Malisheva 0:1

Prishtina – Gjilani 2:2

Gjilani – Drita 1:0

Ferizaj – Gjilani 3:1.

You Might Also Like