Dega e PDK-së në Gjilan, ka reaguar rreth propozimeve për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe bulevardeve në Komunën e Gjilanit. Sipas saj, Gjilani meriton emërtime të rrugëve me emra meritor – autoritativ, e jo me të panjohur. Në vazhdim po e botojmë të plotë reagimin e degës së PDK-së në Gjilan, të nënshkruar nga Zyra për Informim e këtij subjekti politik:
Parregullsitë e shumta që e kanë përcjellë në vazhdimësi Komisionin Komunal për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe bulevardeve, në Gjilan, kanë shkaktuar paknaqësi të mëdha edhe te qytetarët e Gjilanit.
Duke i parë këto parregullsi dhe këto shkelje, dhe në pamundësi për ta ndalë trendin e manipulimeve dhe publikim e listës së propozuar të emërtimeve të rrugëve, shesheve dhe bulevardeve, nga kryetari i Komisionit z. Fehmi Agushi, dhe një pjesë e anëtarëve të komisionit, anëtari i PDK-së në këtë komision, z. Ilir Tahiri, është tërhequr nga komisioni, duke e kundërshtuar mënyrën e tillë të publikimit, nga se: gjatë punës nuk janë respektuar kriteret për propozime; janë ndryshuar emërtimet e vjetra për t’i zëvendësuar të njejtat me emra të familjarëve të disa anëtarëve të komisionit, etj.
Rrugët në të cilat është ndërhyrë, me presion të disa anëtarëve dhe të kryetarit të Komisionit, janë: Rruga “Idriz Seferi”, e cila është shkurtuar disa herë; Rruga “Mulla Idriz Gjilani”, që më parë ka qenë në kuadër të kategorisë së rrugëve të rendit të parë, tani është në kategorinë e rrugëve të rendit të dytë; Rruga “Dalip Dalipi” poashtu është shkurtuar disa herë; Ndryshimi i emërtimit të rrugës “Gjon Sereqi”, dhe shumë të tjera; ndërhyrja në propozimet e Këshillave të Fshatrave pa pëlqimin e Komisionit; Mospublikimi i të gjitha emërtimeve të propozuara, sipas vendbanimeve, në secilin vendbanim; dërgimi i kundërligjshëm i disa propozimeve për shqyrtim në Kuvendin Komunal; mospërputhja e verzionit të publikuar me atë përfundimtar të përpiluar nga Komisioni (në takimin e Prizrenit), etj., pa përjashtuar edhe gabimet e shumta teknike.
Papërgjegjësia dhe joserioziteti i disa anëtarëve të komisionit, ka bërë që puna e këtij komisioni të zgjatet me vite, përshkak se në shumë takime, më tepër është diskutuar për pagesën dhe mëditjet se sa për rolin dhe përgjegjësinë e komisionit për cilësinë e emërtimeve me emra autoritativ.
Prandaj, duke pasë parasyshë të gjithë këto vërejtje në punën e këtij komisioni, Dega e PDK-së në Gjilan, nuk e mbështet verzionin aktual të publikuar, të propozimeve për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe bulevardeve, në Komunën e Gjilanit dhe të njejtën kohë kërkon nga KK Gjilan, shkarkimin e kryetari të këtij Komisioni.