Futboll

Përcaktuese gabimet në mbrojtje

Gjilani dhe Ferronikli, në ndeshjen që hiqej si kryendeshje e kësaj jave i kanë ndarë pikët, ngase në ballafaqimin e kësaj të diele kanë luajtur baraz, me rezultat 1:1. Përcaktuese kanë dalë të jenë repartet mbrojtëse, ngase Ferronikli i shënoi vetit autogol, kurse mbrojtja e Gjilanit ia dhuroi një gol ekipit mysafir.

Gjilani pati një pjesë të parë të mirë dhe në minutën 20, pas një harkimi të Thaqit, topin shumë ngathtë e ka qëlluar kapiteni mysafir Doshlaku, i cili ka qëlluar këndin e poshtëm të majtë të golit të vet. Gjilani ka patur edhe raste të tjera të mira, por nuk ia doli të dyfishojë rezultatin.

Me t’u kthyer në pjesëlojën e dytë, mbrojtja e Gjilanit bëri një gabim fatal, kur intervenoi ngathtë në brendi, portieri Kaqiu disi me mund e dëboi topin me këmbë, i cili arriti deri te Mark Milicaj, i cili gjuajti në portën e pambrojtur dhe barazoi rezultatin 1:1.

Deri në fund të ndeshjes të dy ekipet patën raste të mira, por ndërrim në rezultat nuk pati, andaj ndeshja u mbyll me rezultat të barabartë.

You Might Also Like