OPINION

Pesë pyetje drejtuar kreut të Akademisë (a)politike

 

ismajl Kurteshi  Shkruan: Ismajl Kurteshi, deputet

Si  zbriti kufiri nga kuotat e larta të Bjeshkëve të Nëmura, në përrenj dhe lugina e Rugovës?

Zotëri kryetar i Akademisë, në botimin e monografisë për Kosovën,  autore e së cilës është Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, të botuar në vitin 2011 me titull “KOSOVA VËSHTRIM MONOGRAFIK” ku  ju jeni njëri nga redaktorët e këti botimi, përveç tjerash jeni marr edhe me linjat  kufitare të Kosovës. Në lidhje me kufirin që e ndanë Kosovën nga Mali i Zi, në faqen 23 të këti libri saktësisht thuhet :”Në pjesën veriperëndimore Kosova kufizohet me Republikën e Malit të Zi. Linja kufitare ka gjatësinë rreth 78.6 km. Nga trekufiri Kosovë – Shqipëri – Mal i Zi e deri te trkufiri Kosovë – Mali i Zi – Serbi linja kufitare shtrihet nëpër kotat e larta të Bjeshkëve të Nemuna – Bogiqëvicë, Mokën, Hajlë dhe Zhleb. Linja kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi prehet me dy arterie rrugore automobilistike në Qafë kullë (1.795 m) dhe Çakor (1849 m)…”.

Në botimin e lartpërmendur keni thënë se … kufiri shtrihet në kotat e larta të Bjeshkëve të Nemuna …, pra në monografi nuk keni thënë se kufiri shtrihet në luginat dhe përrejt e Rugovës, si që po thoni ju  tani.

Duke e kontestuar botimin e shkruar dhe redaktuar nga Akademia, që ju e drejtoni, si njëri nga redaktorët i këti botimi, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, edhe ashtu të njohur për pasivitetin e saj, kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme për interesin e vendit,  po e paraqitni edhe  jo serioze, rrjedhimisht tërësisht të pabesueshme.

Ju zotëri akademik, duhet ta dini se askush nuk ka të drejt  ta zhvlerësoj një institucion të rëndësishëm si që është Akademia, prandaj as ju dhe as ideatori i këti projekti, që ju ka angazhuar në këtë mision të pamundur, nuk e keni  këtë të drejt, e aq ma pak keni të drejt t’i shkaktoni vendit humbje të territorit dhe tensionime me pasoja të paparashikueshme. Një “sakrificë” e tillë  nuk ja vlen as për akademikët pushtetarët, që i keni koleg, e as për pushtetarin, citatet e të cilit i patët vendos në ambientet e Akademisë tonë (a)politike. Por me që keni vendosur të zhyteni në këtë aventurë, pasi  ta ”matni” territorin do të jeni të obligim t’i bëni publike pikat nga të cilat i keni filluar matjet. Qytetarëve të Kosovës duhet t’i thoni se a e keni matë edhe sipërfaqet e Lagjes së Zahirajve, të Komunës së Gjilanit, të cilën po e kontrollon Serbia? A e keni matë pjesën e Karaqevës që po patrullohet nga xhandarët e Serbisë, apo matjen e keni filluar  nga “Baypass-i”  si që po quhet tani vija e imponuar kufitare, për të cilën Qeveria e Kosovës nuk po reagon? E keni filluar matjen e sipërfaqes nga Dheu i Bardhë apo nga Klysyrja e Konqulit? Si e keni filluar matjen derisa  në këtë anë ende nuk dihet saktësisht ku është kufiri me Serbinë?   Duke e pas parasysh se demarkimi i kufirit me Serbinë ende nuk ka ndodh, tregoju qytetarve si është e mundur matja e territorit në situatën  kur pikat kufitare vetëm mund të imagjinohen.  Rezultatet e “matjeve” të këtilla,  që ju do t’i bëni i din të gjithë, demarkacionin me Malin e Zi do ta nxjerrin në rregull, sidomos pas përjashtimit të ekspertëve që do të ju prishnin punë, në nxjerrjen e rezultateve të porositura nga punëdhënësi. Mirëpo pasi që keni vendos me i hy kësaj aventure, me shpresën e kot se do t’i lironi përgjegjësit nga përgjegjësia, pavarësisht çmimit që mund ta paguaj vendi, ju zotëri akademik keni obligim si profesionist i matjeve të porositura t’ju përgjigjeni pyetjeve në vijim:

  1. Cila është e vërteta në lidhje me linjën kufitare Kosovë – Mal i Zi, ajo që e keni botuar në vitin 2011 si Akademi, apo ajo që po e thoni sot,  kur jeni vu në shërbim të  një pushteti të papërgjegjshëm?
  2. Si zbriti kufiri nga kuotat e larta të Bjeshkëve të Nëmura, në përrenj dhe lugina e Rugovës?
  3. Pse tani duhet të matet territori kurse në vitin 2011 e keni përshkruar linjën kufitare pa e mat territorin e Kosovës?
  4. Cili shtet në botë e ka matur tërë territorin e vendit me qëllim të përcaktimit të një pjese të vijës kufitare?
  5. Nga cilat pika kufitare do ta bëni “matjen”, kur dihet se demarkacioni me Serbin ende nuk ka ndodhur?

Me këtë shërbim që ke marr përsipër me  jua  bërë këtyre pushtetarëve të papërgjegjshëm, për t’jua ruajtur fotelet atyre, e mbase edhe  fotelën tënde, barrë të rënd i ke ngarkuar vetit, e faqe të zezë do me i qit Akademisë,o  zotëri Hivzi Islami.

You Might Also Like