Teatër

Politika t’i mbaj duart larg teatrit

Gjendja në kulturë nuk është e mirë dhe ajo duhet të ndryshojë, ka thënë aktori Ramadan Kurti, nga komisioni për Kulturë i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan.

Kurti ka thënë se i vlerësojnë punët e mira që janë bërë, por se gjithashtu janë kundër mospunës.  Ai si shembull ka marrë gjendjen e rëndë në teatër. Sipas Kurtit, problemet  më të madhe nisën që nga shuarja e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sporte, pastaj me formimin e bordit, që është i çuditshëm dhe me formimin e Task Force, e cila gjithashtu nuk bëri punë.

“Aktorët në Gjilan për gjashtë muaj mbetën pa paga, kurse shpallja e konkursit për pranimin e aktorëve rezidentë ishte një vendim skandaloz, ngase u desh të konkurrojnë edhe ata që ishin edhe tri vite para pensionimit, siç është rasti im dhe ai i Muharrem Sylejmanit”, ka thënë Ramadan Kurti, që tha se me këtë konkurs u larguan nga puna gjashtë aktorë dhe u pranuan tre aktorë të rinj.

Gjithsesi se sipas Kurtit, një pjesë të fajit e bartin edhe vetë aktorët që pranuan të jenë pjesë e atij konkursi dhe shtoi se është e padrejtë që edhe tashti aktorët të punojnë pa paga, ngase deri më tashti kanë pranuar vetëm një të tillë. Ai tha se edhe teatri vazhdon të mbetet pa drejtor e me një ushtrues detyre të drejtorit dhe është e pakuptueshme se si dy muaj me radhë u zhagit zgjedhja e drejtorit.

“Politika duhet të mbajë duart sa më larg teatrit dhe se në kulturë duhet depolitizomi”, ka thënë Kurti, që ka kërkuar një teatër siç i ka hije Gjilanit. Ai ka thënë se është mëkat ajo që po ndodh me teatrin e Gjilanit, i cili është i njohur në mbarë trojet shqiptare.

You Might Also Like