Futboll

Presim që Viktoria Plzenit t’i shkaktojmë probleme

Trajneri Akis Vavalis dhe mesfushori Rron Broja, janë të bindur se Drita do të ketë paraqitje të mirë në duelin kundër Viktoria Plzenit.
Skuadra e Republikës së Çekisë do të jetë nikoqire e nënkampiones së Kosovës, Dritës, në ndeshjen që nis të enjten në orën 19:00.
Ky do të jetë ballafaqimi i parë i rrethit të dytë kualifikues në Ligën e Konferencës.
Pas përgatitjeve në Bansko të Bullgarisë, trajneri i Dritës, Akis Vavalis, ka thënë se është i kënaqur me grupin, por favorite e ka vlerësuar Viktorian.
“Do të përballemi me një kundërshtar të fortë, një skuadër që ka histori të madhe, që luan thuajse në çdo vit në faza grupore të skenës evropiane. Vitin e kaluar, kjo skuadër pati shumë suksese dhe shumë skuadra të mëdha kanë hasur në vështirësi kur janë përballur me Viktorian. Ne e respektojmë Viktorian shumë dhe ajo është favorite në këtë ndeshje”, ka thënë të mërkurën në konferencën për shtyp trajneri Vavalis.
Viktoria Plzeni në edicionin e kaluar ishte në fazën grupore të Ligës së Kampionëve. Luajti në Grupin C, pjesë e së cilës ishin edhe Barcelona, Bayern Munichu dhe finalisti, Interi. I humbi të gjitha ndeshjet.
“Drita po luan në çdo vjet në skenën evropiane dhe ka shfaqur ndeshje të mëdha. U ka shkaktuar probleme skuadrave kundërshtare. Duke marrë për bazë këtë, presim njësoj që edhe Viktoria Plzenit t’i shkaktojmë probleme. Do të mundohemi të japim më të mirën. Të shfaqim ndeshje të fortë dhe të mundohemi të marrim rezultat të mirë për ndeshjen kthyese”, është shprehur Vavalis, që shtoi se e kanë analizuar mirë kundërshtaren e së enjtes.
Rezultat të mirë nga ndeshja e së enjtes në Republikën e Çekisë pret edhe kapiteni dhe mesfushori i Dritës, Rron Broja.
“Jemi munduar që ta analizojmë kundërshtarin sa më shumë që kemi mundur. E dimë se Viktoria është skuadër shumë e mirë, por ne besojmë në vete dhe kemi punuar fort në përgatitjet parasezonale për këtë ndeshje. Kemi vetëbesim dhe besojmë se do të arrijmë diçka të enjten”, ka deklaruar Broja.
Drita është pjesë e kualifikimeve të garave të UEFA-s prej edicionit 2018/19.
Në edicionin e kaluar e kaloi raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës duke e mposhtur Inter Turkun, ndërsa u eliminua nga Antwerpi i Belgjikës.

You Might Also Like