Gjilan

Prokurori Isuf Sadiku ishte mysafirë i Klubit të Drejtësisë

Klubi i Drejtësisë, që vepron në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” ka vazhduar me aktivitetet e tij e debatet që po organizohen nga ky klub po ngjallin interesim të madh tek nxënësit e kësaj vatre të diturisë.

Sesioni i radhës, që është organizuar nga pjesëtarë të këtij klubi, nën përkujdesjen e profesoreshës Besjana Gagica ka mirëpritur në cilësinë e panelistit prokurorin e njohur gjilanas që është pjesë i Prokurorisë Themelore në Gjilan, zotëriun Isuf Sadiku.

Prokurori Sadiku, ka shpalosur informacione të rëndësishme nga përvoja e tij për më tepër se dy dekada në drejtësinë kosovare. Ai me theks të veçantë është ndalur tek roli i prokurorit që nga nisja e hetimeve të para e deri në proceset gjyqësore. Ai me kompetencë të plotë foli për rëndësinë që ka prokuroria, problemet që shfaqen gjatë ushtrimit të këtij profesioni, por edhe për personalitetin e prokurorit që nuk guxon të bije pre e ndikimeve nga jashtë.

Prokurori Isuf Sadiku, ka marrë pyetje të shumta nga nxënësit që janë kyçur në debat, shumë prej të cilëve kanë shprehur dëshirën që edhe ata në të ardhmen të bëhen pjesë e drejtësisë kosovare, derisa përgjigjet e prokurorit kanë ngjallë admirim tek nxënësit, ngase ata kanë kuptuar se duhet punë, mësim, sakrificë dhe cka jo tjetër për të arritur këtë profesion.

Një pjesë e diskutimeve në këtë sesion kishte të bëjë edhe me proceduarat e hartimit të aktakuzave, me çështje që kanë të bëjnë me personat e mitur, me rastet delikuente të moshës rinore, me trajtimin e këtyre rasteve, me rolin e mediave në të gjitha këto zhvillime, por edhe me raste të veçanta, që nga hetimet e para e deri në përfundim të tyre, që kryesisht përfundojnë me shpalljen e aktgjykimeve dënuese e më rrallë me heqje dorë të prokurorit nga aktakuza.

Nxënësit pjesëmarrës i janë falënderuar prokurorit Isuf Sadiku dhe janë shprehur se sesione të tilla janë më se të nevojshme edhe në të ardhmen e në sesion kanë marrë pjesë edhe profesorë dhe psikologia e shkollës, të cilët me ndërhyrjet e tyre e kanë bërë debatin edhe më të frytshëm.

 

You Might Also Like