Gjilan

Riad Rashiti i PDK-së flet për dyfishime shpenzimesh

Kryetari komunës po abuzon me buxhetin komunal, i transferoi 661 mijë euro te NPL Tregu, aty ka shumë skandale dhe keqpëdorime
Sipas raportit gjashtë mujor financiar 2024, nga buxhetit i komunës janë bërë 44 transfere në vlerë prej 661,444.50 euro, të gjitha këto në emër të vendimit të Kuvendit Komunal dhe marrëveshjes në mes komunës së Gjilanit dhe Ndërmarrjes Publike Lokale “TREGU” për mirëmbajtjen e objekteve, sigurimin (rojen) dhe mirëmbajtjen e shesheve dhe parqeve të qytetit.
Ky vendim ishte propozuar nga kryetari i komunës me arsyetimin për zvogëlimin e shpenzimeve të buxhetit komunal, ku deri në vitin 2022 kishte kompani të kontraktuar për këto shërbime dhe shpenzimet për të gjitha këto ishin rreth dy milion euro për tri vite. Mirëpo kryetari i komunës i ka dyfishuar këto shpenzime të buxhetit të komunës, ku vetëm për vitin 2024 shpenzimet do të jenë mbi 1.3 milion euro, pra për tri vite po shpenzohen mbi katër milion euro, e jo dy milion sikur më parë përmes procedurave të tenderimit.
Përveç tjerash kryetari i komunës ka transferuar buxhet tjetër edhe për blerjen e paisjeve, përtej shumës së miratuar.
Ne si PDK ia kemi dëshmuar publikut faktet se si kryetari i komunës ka blerë pa tenderë kamion e paisje tjera personalisht gjatë vizitave të tij në Gjermani.
Ne e vlerësojmë pozitive nisjen e hetimeve nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj këtyre rasteve ku është i përfshirë edhe kryetari i Gjilanit, i cili do të jap llogari para drejtësisë për të gjitha këto abuzime dhe keqpërdorime të mëdha me buxhetin komunal.
Me NPL “Tregu” nuk mund të bëjë pazare pa kufijë askush, e as kryetari i komunës. Kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrje është bashkë përgjegjës në këto skandale, abuzime e keqpërdorime. Ai ende nuk e ka dërguar raportin vjetor financiar tek bordi i ndërmarrjes, ndërsa afati ligjor ka qenë që në muajin mars raporti të dërgohej edhe në Kuvendin Komunal për miratim. Bordi i Ndërmarrjes duhet të kryej punën e vet me përgjegjësi dhe të kërkoj llogaridhënie nga menaxhmenti i kësaj kompanie, ndërsa raportimi në KK Gjilan është obligim ligjor që nuk mund t’i ikë askush.

You Might Also Like