Futboll

SC Gjilani në Evropë, ja të gjitha ndeshjet e gjertanishme

Futbollistët e SC Gjilani kanë udhëtuar prë në Luksemburg, ku këtë të enjte do të përballen me ekipin Progrès Niederkorn në kuadër të Europa Conference League. Është kjo hera e tretë që në historikin e tij SC Gjilani luan në garat evropiane, ku edhe sivjet mëton që së paku të kalojë ndonjë xhiro në aventurën evropiane, shkruan kryelajmi.com.

Po cilat janë të arriturat e deritashme të SC Gjilanit në Evropë.

Ekipi bardh e kuq, daljen e parë në Evropë e pati më 21 gusht 2020, kur në San Marino u përball me ekipin Tre Penne, ndaj të cilit ngadhënjeu me rezultat 3:1. Ishin vendasit që në minutën 16 patën shënuar me anë të lojtarit Nikola Gai, që pati qëlluar këndin e epërm të majtë të portës së Koliqit. Gjilani pati barazuar pas një harkimi të Gerhard Prognit, kurse malazezi Darko Nikaq pati kërcyer dhe ka qëlluar topin me kokë, duke e futur atë në rrjetë për 1 : 1. Gjilani kishte ardhur në epërsi me golin e Fiton Hajdarit në minutën 64, kurse fitoren e pati vulosur në minutën 68, kur Ardit Hila nga afërsia e futi topin në rrjetë. Kjo ndeshje ishte zhvilluar në kuadër të ndeshjeve preliminare, kurse kundërshtari i ardhshëm i Gjilanit ishte ekipi APOEL nga Qiproja.

Ndeshja ndaj ekipit qipriot ishte zhvilluar më 27 gusht 2020 në Prishtinë dhe ndeshja kishte përfunduar me rezultat të barabartë 0:0, andaj u desh që të luhet koha shtesë. Duhet cekur se këtë vit shkaku i pandemisë nuk kishte ndeshje kthimi. Në vazhdime, ekipin që atëherë udhëhiqej nga Gentian Mezani e lëshoi forca dhe humbi me rezultat 0:2. Për qipriotët patën shënuar Efrem, që me kokë qëlloi këndin e poshtëm të majtë të Koliçit e më pas edhe Ndongala që vulosi fatin e këtij takimi 0:2.

UEFA Europa Conference League me ekipin Liepaja, SC Gjilani në ndeshjen e parë të luajtur në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë është ndeshur më 7 korrik 2022 dhe ka ngadhënjyer me rezultat 1:0.  Goli ishte shënuar në minutën 38, kur Elton Perreira Gomesh, i njohur me nofkën Cale, ka harkuar nga e djathta dhe Albert Dabiqaj shënoi me kokë për 1:0. Duhet cekur se në këtë ndeshje Gjilani më herët kishte qëlluar shtyllën nëpërmjet Dabiqajt, kurse në minutat e fundit edhe Krasniqi pati rast të mirë shënimi, por rezultati mbeti i pandryshuar.

Pas fitores 1-0 në stadiumin “Fadil Vokrri”, gjilanasit u mposhtën me rezultat 3-1 në Letoni ndaj Liepajas, në ndeshjen që është zhvilluar më 14 korrik 2022. Kështu, me rezultat të përgjithshëm prej 3-2, kuqebardhët i dhanë fund aventurës në Evropë. Të katër golat e këtij takimi u shënuan në pjesën e dytë.

Ishte Arturs Karasauskas ai që realizoi goli e parë në minutën e 49-të nga penalltia. Megjithatë, reagimi i Gjilanit ishte i shpejtë, pasi Blerim Krasniqi barazoi pas vetëm dy minutave.

Letonezët më pas morë ndeshjen në kontroll, duke realizuar edhe dy gola përmes Nemanja Belakoviq (64′) dhe krejt në fund edhe një gol tjetër nga penalltia përmes Dodos (88′).

Rezultatet e gjerëtanishme të SC Gjilanit në Evropë:

Tre Penne – SC Gjilani 1:3

SC Gjilani – APOEL 0:0 (koha shtesë 0:2)

SC Gjilani – Liepaja 1:0

Liepaja – SC Gjilani 3:1

Progrès Niederkorn – SC Gjilani (13 korrik)

SC Gjilani – Progrès Niederkorn (20 korrik)

Gjilani në garat evropiane (UEFA Europa League) i ka të zhvilluara dy ndeshje, prej tyre ka një fitore dhe një humbje, kurse edhe në UEFA Europa Conference League ka një fitore dhe një humbje. /Kryelajmi.com/.

You Might Also Like