Te ndryshme

Skender Mustafa – Leshi, njeriu i cili shpëtoi shumë jetëra me gjakun e tij

Në një histori që tregon guxim dhe humanizëm, Skender Mustafa, një banor i njohur i qytetit të Gjilanit, ka shpëtuar shumë jetëra duke dhënë gjakun e tij në kohëra të vështira. Ai, i cili tani është 81 vjeç, ka qenë një figurë e shquar në veprimtaritë humanitare. Skender Mustafa, i njohur ndryshe si Skender Leshi për shkak të kontributit të tij të jashtëzakonshëm për shoqërinë, ka qenë një donator i përkushtuar i gjakut për më shumë se 40 vjet. Me grupin e gjakut A – Rh negativ, ai ka qenë një burim i rëndësishëm për transfuzionet e gjakut në emergjenca të ndryshme shëndetësore në Gjilan dhe rajon.

Gjatë jetes së tij si donator i gjakut, Skenderi ka dhënë gjakë mbi 120 herë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, dhe në disa vende të Europës, duke përfshirë edhe Gjermaninë. Ai është një figurë e respektuar në komunitetin e dhuruesve të gjakut për përkushtimin dhe kontributin e tij të palëkundshëm në ndihmën ndaj njerëzve në nevojë. Përveç angazhimit të tij në fushën e dhurimit të gjakut, Skender Mustafa është një njeri i njohur për përkushtimin e tij në sport. Ai ka qenë një pjesë e rëndësishme e historisë së sportit në Gjilan. Skender Mustafa – Leshi, ka ndarë disa nga përvojat dhe emocionet që ka përjetuar gjatë viteve në shërbim të dhurimit të gjakut.

Ai ka theksuar se për të dhënë gjakë është një detyrë morale dhe një mundësi për të shpëtuar jetë. Ai gjithashtu ka inkurajuar të gjithë qytetarët që kanë mundësinë të bëhen donatorë të gjakut dhe të japin një kontribut të rëndësishëm në shërbim të njerëzimit. “Ndihem krenar që gjatë jetës sime me gjakun tim kam kontribuar për popullin tim. Jam i lumtur nesë një pikë gjaku im ka shpëtuar një jetë. Zemra ime gjithmonë ka qenë e hapur për cdo person që ka pasur nevojë per gjakun tim. Ne jetën tim kam dhënë gjakë mbi 120 herë. Shtepia ime ka qenë e hapur 24 orë për njerzit që kanë pasur nevojë për mua. Të gjithë njerzve qe kanë pasur rastin të marrin gjakun tim, ua bëj hallall gjithë jetën”. Skender Mustafa është një shembull frymëzues i solidaritetit dhe vullnetit për të ndihmuar të tjerët. Kontributi i tij në shpëtimin e jetëve dhe promovimin e vlerave humanitare e bën atë të nderuar dhe respektuar në gjithë qytetin dhe përtej tij. Ai është një hero i vërtetë i kohës sonë, i cili vazhdon të japë shembullin dhe të frymëzojë të tjerët me veprat e tij të mira.

You Might Also Like