“Festivali i Kënges për Femijë “LYRA” , Gjilan, shkëlqeu edhe në edicionin e saj të XV-të me radhë. Me një spektakël të vërtetë, me skenografi të shkëlqyeshme dhe moderim të artistit tonë të madh Fatmir Spahiu Bufi, u shënua Dita ndërkombëtare e Fëmijëve – 1 Qershori.
Festivalin e hapi Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni i cili u shpreh shumë i kënaqur që ky eveniment i shkëlqyeshëm tanimë ka krijua histori për qytetin dhe muzikën për fëmijë duke komplimentua dhe falënderua tërë stafin organizativ, posaçërisht drejtorin e festivalit dhe Shkollës së Muzikës, Kushtrim Jakupi.
Juria profesionale e përbërë nga prof. Sami PIraj – publicist muzikor, Shqipe Halili – redaktore e muzikës në RTK dhe Arta Haziri Nuhiu – pedagoge e muzikës e drejtoreshë e Festivalit “Mollëkuqet” vlerësuan me Çmimin kryesor këngën “Vendlindja” të solistes ferizajase Sumeja Jakupi, e përcjellë nga Elena Sadriu “Haproj” dhe Alisa Dvorani “Ditëlindja”. Me çmime të III-ta u vlerësuan Rita Rexhepi “Sillem Botës”, Klea Mehmeti “Hëna” dhe Aya Sylejmani “Më mësoi”.
Çmimin e publikut e rrëmbeu Esma Aliu me këngën “Gjuha shqipe” kurse Çmimin e madh dhe Special të Festivalit LYRA 2024 e fitoi Dea Poniku me këngën e bukur “Minimatura”. Soliste më e mirë u shpall Jara Rashiti “Nënës” kurse solistja e re më e mirë Bora Salihu “Lamtumirë”. Leart Isufi rrëmbeu dy Çmime, Solisti më i mirë dhe “Lyra Junior” . Morea Qyqalla me këngën “Një takent si Morea” fitoi Çmimin “Talenti Lyra” kurse kënga Hit u vlerësua Rina Uka me këngën “Urime Kosovë”. Çmimi “Paraqitja skenike” i takoi me shumë meritë solistes së shkëlqyeshme Liana Bllaca. Me dy çmime prestigjioze “Shkolla e Muzikës” dhe “Çmimi RTK” u shpërblyen Tara Baxhuku me këngën “Un jam Tara” dhe Luiza Koci “Deti”.
Organizatori sikurse edhe në edicionet e kaluara shpalli Çmimin Kompozitori LYRA 2024 i cili këtë vit i takoi kompozitorit dhe dirigjentit të njohur Memli Kelmendi i cili për shumë vite me radhë është pjesë e festivalit “LYRA” Gjilan.
Festivali u zbukurua sikurse edhe vitet e kaluara me vallëzimet e bukura nga valltaret e grupit të vallëzimit “Dancing house” nën përkujdesjen e koreografes dhe bashkëpunëtores shumëvjeçare Nazmie Ahmeti, kurse në fund përveç solistes mysafire Norma Haliti në skenë performoi edhe kori tanimë ikonik i qytetit nga Shkolla e Muzikës i dirigjuar nga Artan Jerliu.
Skena e bukur e dizajnuar nga Lyra Jakupi dhe e realizuar nga Astriti me LED dhe ndriçim dhe zërim nga Albani si dhe me ndihmën e punëtorëve të vyer të Teatrit të Qytetit, i sollën edhe më shumë shkëlqim Festivalit të parë gjilanas “LYRA”.