Gjilan

U përfunduan 37 shtëpi për të pastrehët

U punua edhe në meremetimin e mbi 40 shtëpive dhe pagesa e qirave për një numër të madh të tjerash.

Drejtori i Drejtorisë Komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Nexhat Hajrullahu, në konferencën për media ka thënë se si drejtori janë duke ofruar shërbime dhe po japin asistencë me subvencione për shumë organizata të ndryshme për personat me aftësi të kufizuara, për strehimore, sikur që kanë vazhduar me ndërtim të shtëpive për raste dhe familje skamnore, por njëkohësisht me përkushtim të lartë është vazhduar edhe me kujdesin primar shëndetësor.

Në fjalën e tij para gazetarëve drejtori Hajrullahu ka thënë se janë duke trajtuar me kujdes të veçantë rastet e rënda sociale, sikur që një kujdes të veçantë ai tha se janë duke dhënë për të gjithë personat të cilët kërkojnë ndihmën e kësaj drejtorie, apo ndihmën e shoqatave të ndryshme që janë të financuara nga qeverisja Komunale.

“Ne po mbështesim si drejtori, përveç asistencës dhe shërbimeve sociale të ofruara edhe me subvencione për OJQ-të si: Handikos, shoqatën e shurdhë memecëve, të verbrit, shoqatën “Anamorava”, “Pema”, strehimoren “Liria”, Familjet Strehuese, Labyrinth-in dhe shoqata të tjera si dhe subvencionimin e kategorive sociale me barëra dhe mjekim”, ka thënë ai në fjalën e tij.

Hajrullahu më tej tha se me vullnetin e donatorëve dhe të qeverisjes Haziri, kanë vazhduar me ndërtimin e shtëpive, ku deri më tani janë në përfundim e sipër 37 shtëpi, meremetimin e mbi 40 shtëpive dhe pagesa e qirave për një numër të madh të tjerësh.

Ndryshe në Gjilan sipas tij, kërkesa për strehim në adresë të komunës janë drejtuar konkretisht në komisionin e themeluar nga kryetari, numri i kërkesave është 496 kërkesa, nga të cilat 176 për ndërtim shtëpie, 130 për meremetim dhe përfundim të shtëpive, 122 për qira, 5 shtëpi të djegura, 34 kërkesa për pronë për ndërtim shtëpie, dhe 27 kërkesa për banesa sociale.

Sa i përket subvencioneve për këtë periudhë, drejtori Hajrullahu, tha se deri më tani nga buxheti i drejtorisë janë ndarë subvencione në vlerë 33,430.00 euro për barëra, ndërsa nga fondi i veçantë janë paguar qiratë në vlerë 29,300.00 euro.

“Edhe sa i përket shërbimeve shëndetësore, në aspektin e investimeve kapitale dhe renovimeve brenda këtyre dy viteve kemi rinovuar mbi 12 QMF dhe AMF në vlerë 200,000 euro dhe së shpejti presim të fillojmë punimet me projektin e QKMF-së “Dr. Nagip Rexhepi” në vlerë 1.5 milion euro” ka thënë ai.

Përkushtimi dhe shërbimet në shëndetësinë primare, drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Nexhat Hajrullahu, ka thënë se janë gjithnjë e më të mira dhe në funksion të një shëndeti më të mirë për të gjithë qytetarët.

“Investimet dhe puna në shëndetësinë primare është e vazhdueshme që nga ambulancat e deri tek qendra kryesore. Puna po vazhdon në të gjitha qendrat që janë nën organizimin e QKMF-së. Nga 1 korriku kemi filluar me ‘Vizitat shëndetësore shtëpiake për nëna dhe fëmijë’, ku kemi trajnuar stafin prej 20 infermiereve për vizita familjare, por po ashtu ka vazhduar edhe projekti për “kontrollet sistematike të nxënësve”, që vazhdon nga viti i kaluar për klasat e para, të pesta dhe të nënta dhe deri më tani janë kryer kontrollet për më shumë se 96.4% të nxënësve të këtyre klasave”, ka thënë drejtori Hajrullahu gjatë konferencës.

 

Nga shërbimet dhe aktivitetet e tjera, është edhe inspeksioni sanitar i cili ka vazhduar me kontrollime dhe inspektimin  e subjekteve tregtare ushqimore, subjektet hoteliere, Institucioneve Parashkollore dhe ato shkollore, Institucione private Shëndetësore etj. Gjithashtu sipas drejtorit Hajrullahu edhe zyra për ujë në vazhdimësi ka monitoruar dhe ka përcjellë kualitetin e ujit të pijshëm në rrjetin e furnizimit të qytetarëve me kualitetin dhe nivelin e ujit.

 

 

You Might Also Like