U përmbyll me shumë sukses Festivali i këngës për fëmijë “Xixat e Flakës” 2022. U prezantuan 10 këngë të bukura për fëmijë, të cilat reflektuan shumë dashuri për atdheun, heronjtë, flamurin, pavarësinë, jetën dhe ëndrrat e tyre të bukura për një të ardhme të ndritur. Në fillim u paraqit kori i Shkollës së Muzikës me një kolazh të këngëve të bukura dhe me një interpretim profesional. Festivalin e begatoi edhe interpretimi i pikave të vallëzimit nga grupi “Dancing House”. Drejtori i festivalit, Kushtrim Jakupi sqaroi se ky festival është unik në përmbajtjen e tij dhe këtë vit në kuadër të 31 vjetorit të “Flakës” po vazhdon të bën hapa të sigurt në ngritje të cilësisë dhe në begatimin e vazhdueshëm të literaturës muzikore për fëmijë gjithnjë duke mbetur brenda kornizave të karakterit të manifestimit të “Flakës së Janarit”
Juria profesionale, në fund shpalli edhe çmimet fituese:
Çmimi i tretë iu nda solistes Alejna Prizreni me këngën “Ëndërroj”, çmimin e dytë e fitoi solistja Eja Kida me këngën “Maskat” kurse çmimin e parë e fitoi Diell Jerliu me këngën “Dëshira ime” dhe në fund plaketin fitues e ndau Kryetari i komunës, Alban Hyseni, i cili edhe shfrytëzoi rastin që të i uroj të gjithë pjesëmarrësit dhe organizatorët për realizimin e festivalit.
“Xixat e Flakës” veprimtarinë e filluan nga vitet e 90-ta, fillimisht si pjesë e manifestimeve tjera të “Flakës”, mbrëmjeve letrare, koncerteve të ndryshme, etj. Pas luftës “Xixat” vazhduan aktivitetin muzikor, kurse nga viti 2011 u bënë pjesë e rregullt e programit të “Flakës së Janarit” si njëra nga pjesët kryesore të shtyllës së muzikës. Festivali u përkrah nga Komuna e Gjilanit, Ministria e Kulturës dhe Radio Televizioni i Kosovës si sponsor medial.
Kushtrim Jakupi