Vashat e KV Skenderaj kanë mundur ekipin KV Drita në Finalen e Kupës së Federatës së Volejbollit të Kosovës, e cila është zhvilluar këtë të diele në Skenderaj.
Në setin e parë, skenderajaset ishin më të mira, duke ngadhënjyer me rezultat 25:20, derisa gjilanaset përmirësuan lojën e tyre në setin e dytë, të cilin e dërguan deri në pikët shtesë, por në fund e humbën me rezultat 27:25. Kjo sikur pati ndikim të madh te gjilanaset, të cilat luajtën setin më të dobët në setin e tretë, që e humbën me rezultat 25:16.
Te KV Drita në cilësinë e organizatores është paraqitur lojtarja nga Trinidad and Tobago, Renele Forde, por nga loja u pa se asaj i duhet kohë për t’u ambientuar në mesin e ri.
Ndryshe, KV Drita do të vazhdojë të luftojë për titull kampioni dhe pas stinorit vjeshtor KV Drita është në pozitën e parë./kryelajmi.com//
KV Skenderaj – KV Drita 3:0 (25:20, 27:25, 25:16)