Futboll

Vavalis: Tash do të fokusohemi në garën për titull

photo by: @Shpend Ahmeti

Akis Vavalis është pajtuar deri diku me faktin se ekipi i tij, Drita, nuk do të paraqitet më këtë edicion në garat evropiane. Por, trajneri grek insiston se Drita e ka merituar plotësisht ta vazhdojë rrugëtimin në arenën ndërkombëtare. Kur e thotë këtë, Vavalis bazohet në paraqitjet që ekipi nga Gjilani i pati në dy ndeshjet kundër skuadrës së madhe nga Çekia, Viktoria Plzen.

Drita u eliminua në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës pasi e humbi 2:1 ndeshjen e kthimit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga Plzeni, të enjten mbrëma. Plzeni avancoi tutje me golin që e shënoi në minutën e fundit të ndeshjes. Në ndeshjen e parë në Çeki, Drita kishte luajtur pa gola. Plzeni golin e kualifikimit e shënoi nga penalltia.

“Ishim shumë afër kalimit në rundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës dhe mendoj se e kemi merituar plotësisht të vazhdojmë garat në arenën ndërkombëtare për shkak se treguam paraqitje të mira”, është shprehur Vavalis të premten për KOHËN.

Përkundër eliminimit, Vavalis ndihet krenar me paraqitjen që e patën lojtarët e tij, si në ndeshjen e parë në Çeki ashtu edhe në të dytën, në Prishtinë. Vavalis thotë se Drita shfaqi lojë të jashtëzakonshme edhe pse përballë kishte një kundërshtar që shpesh paraqitet në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Edicionin e shkuar, Plzeni ishte në grup me Barcelonën, Bayern Munichun dhe Interin, ekip që luajti në finale të Championsit

“Jam shumë krenar për futbollistët e ekipi tim. Luajtëm shumë mirë ndaj një kundërshtari të fortë, i cili pothuajse çdo vit paraqiten në fazën grupore të Championsit dhe shfaq paraqitje tejet të mira”, u shpreh Vavalis.

Ai thotë se fati nuk ishte në anën e Dritës. Përmend edhe mungesën e sistemit VAR, i cili sipas teknikut grek do ta kishte ndihmuar ekipin gjilanas në disa momente të dyshimta. Vavalis nuk foli për penalltinë që e fitoi Plzeni, ndonëse lojtarët e tij vlerësuan se vendimi i arbitrit ishte shumë i dyshimtë për shkak të tollovisë së krijuar në tentimin për ta larguar topin nga zona.

“Dhe, po, mendoj se ishim totalisht të pafat, sidomos në disa situata të caktuara. Ishim të pafat edhe për faktin se kemi luajtur pa sistemin VAR, i cili do të na kishte ndihmuar në disa situata specifike. Por, tashmë kjo ka përfunduar dhe ne duhet të shohim përpara”, deklaroi Vavalis.

Pas eliminimit nga garat evropiane fokusi i Dritës është në Superligë. Edicioni 2023/24 nis më 12 gusht, ndërsa Drita duelin e parë e luan në shtëpi kundër skuadrës së Llapit.

Sipas trajnerit nga Greqia, Drita është e përgatitur mirë, e motivuar dhe gati për edicionin e ri. Ai thotë se synimi i ekipit nga Gjilani do të jetë titulli i kampionit.

“Sigurisht, synimi ynë kryesor për këtë edicion që nis javën e ardhshme është që ta fitojmë titullin e kampionit. Do të luftojmë dhe nuk do të dorëzohemi deri në fund për ta arritur këtë qëllim që e kemi para vetes”, tha Vavalis. “Paraqitjet tona në garat evropiane janë tregues se kemi gjasa të mira për të luftuar për titull dhe për ta fituar në fund”.

Drita ka tre tituj kampioni të Kosovës, të fundit në edicionin 2019/20. Në edicionin 2018/19 debutoi në arenën ndërkombëtare. Ishte hera e tretë rresht që Drita i dha fund aventurës evropiane në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Para Plzenit, u eliminua edhe nga Antwerpi e Feyenoordi. Është paraqitur edhe në rundet kualifikues të Championsit dhe Ligës së Evropës. Suksesin më të madh në Evropë e ka në edicionin 2020/21 kur u eliminua në rundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës nga Legia e Varshavës.

 
 
photo by: @Shpend Ahmeti

You Might Also Like