Gjilan

Vihet në funksion Inkubatori i Agrobiznesit në Shkollën “Arbëria”

Më 22 prill 2021 është hapur zyrtarisht inkubatori i agrobiznesit në kuadër të shkollës së mesme të bujqësisë Arbëria në Gjilan. Inkubatori ka për qëllim përkrahjen e ideve start-up të rinjve në rajon, në fushën e agro-biznesit. Ai do të ofron përkrahje të shumëllojshme, duke filluar me hapësira të punës dhe pajisje, shërbime këshillimi nga profesionistë të spikatur të fushës, infrastrukturë shtesë si laboratori, pajisje prodhimi dhe përpunimi të produkteve bujqësore, mundësi rrjetëzimi dhe promovimi për sipërmarrësit e ri, dhe shumë përparësi tjera.
Inkubatori i lansuar është i parë dhe më i zhvilluari i këtij lloji në Kosovë. Si iniciativë është lansuar si pjesë e projektit “Të rinjtë në Agrobiznes- Regjioni Ekonomik Lindor”, i financuar nga Bashkimi Evropian, i menaxhuar nga Zyra e Unionit Evropian në Kosovë, dhe i zbatuar nga Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me komunat e tjera nga Regjioni Lindor. Qëllimi kryesor i këtij projekti ka qenë që të krijoj punësim fitimprurës dhe gjenerim të të ardhurave për të rinjtë në Regjionin Ekonomik Lindor.

Në hapjen e inkubatorit ishin prezent Kryetari i Komunës Lutfi Haziri, përfaqësues tjerë të rëndësishëm të komunës, personeli i projektit dhe hisedarë tjerë. Kryetari Haziri që nga fillimi ka përkrahur fuqimisht këtë projekt, si pjesë e përkrahjes së tij tradicionale për sektorin e biznesit në përgjithësi, dhe agro-biznesit në veçanti, në komunën e Gjilanit.

Inkubatori është lansuar në Gjilan për të përfituar nga tradita tashmë e gjatë e rajonit lindje në bujqësi. Kjo iniciativë do të zbatohet brenda shkollës së bujqësisë në Gjilan, ku përfitimi mes inkubatorit dhe shkollës do të jetë i ndërsjellë, duke shfrytëzuar në maksimum resurset dhe përvojën e shkollës, personelit akademik, si dhe nxënësve të talentuar dhe motivuar të shkollës.

Mundësitë për lansimin e bizneseve në agro-biznes janë të shumta në rajon. Një pjesë e kompanive në Kosovë shumë të suksesshme në këtë fushë, sidomos ato në përpunimin e ushqimin e lëngjeve, janë të themeluara në rajonin e Gjilanit, që mundëson të rinjve që dëshirojnë të hapin biznes në këtë sektor të përfitojnë prej kushteve pozitive ekzistuese, duke përfshirë këtu mundësi rrjetëzimi, shfrytëzimi të pajisjeve, dhe treg gjithmonë të interesuar për produkte dhe shërbime që do të ofrohen në agro-biznes.

You Might Also Like