Viti i Ri 2025 u prit me gëzim nga gjilanasit, të cilët atë e festuan në mënyra të ndryshme. Disa zgjodhën ambientet familjare në ndërrimin e motmoteve, ca të tjerë ata e pritën në restorante e hotele e dikush tjetër pas liberalizimit të vizave Vitin e Ri e pritën edhe jashtë vendit. Ata që më së tepërmi iu gëzuan Vitit të Ri dolën në rrugë dhe plasën fishekzjarrë, me të cilat ndriçuan qiellin, shkruan kryelajmi.com.
Pos rrallëkush, apo më mirë thënë askush nuk ktheu kokën për të parë se çfarë la prapa. Mjafton një ecje fund e krye nëpër pedonalen e qytetit, apo më mirë thënë pjesën nëpër të cilën u mbulua shtrati i lumit Mirusha, për të parë mbetjet e fishekzjarrëve të cilat mund t’i shohësh në çdo hap. Është e habitshme që askush nuk u përkujdes që ta pastrojë terrenin, që tashti duket tejet i shëmtuar. Disa “raketat” e tyre i kishin nisur edhe nga pjesë të tullave e bllokave të ndërtimit që i kishin sjellë në pedonale, por që nuk i hoqën ato dhe tashti sheshi duket sikur në të të kishin ndodhur bombardime. Asgjë më mirë se fotografia nuk e dëshmon këtë pamje të shëmtuar, andaj në këto raste inspeksioni duhet të veprojë. /kryelajmi.com/.