“Vjeshta Letrare e Gjilanit 2016” këtë të shtunë do të sjellë krijimtarinë e poetit Ahmet Osmani. Sic ka bërë me dije Sabit Rrustemi, kryetar i ARS Club “Beqir Musliu”, këtë të shtunë në kuadër të Manifestimit poetik, “Vjeshta letrare e Gjilanit”, edicioni i shtatë 2016,si rëndom në ora Dymbëdhjetë, në Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli” në Gjilan, paraqitet dhe vlerësohet poezia e Ahmet Osmanit, një poet yni me origjinë nga Kosova Lindore (Medvegjë), i cili që nga vitet nëntëdhjeta e këndej, jeton dhe vepron në Zvicër.
Për poezinë e Ahmet Osmanit, përmbledhur deri më tash në katër libra poetikë, “Dlirësi e lashtë”, “Heshtjen përgjon hëna”, “Ti qenia ime e panënshtruar” dhe “Pulsim yjesh”, që të gjitha botuar përmes Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu”, do të flasin, Sabit Rrustemi( editor) si dhe Nexhat Rexha e Arsim Halili,recensentë dhe krikë letrar. Kurse poezi nga opusi i Ahmet Osmanit do të deklamojë, Xhezide Selimi, moderatore dhe studente e Universitetit publik “Kadri Zeka”.
Siç dihet, “Vjeshta letrare e Gjilanit”, organizohet nga asociacioni alternativ i shkrimtarëve të Kosovës, Ars Clubi “Beqir Musliu”, me seli në Gjilan dhe, mbështetet prej Zyrës së kryetarit të komunës, Lutfi Haziri.