Drejtorati për Buxhet dhe Financa, kërkon nga qytetarët që të kryejnë obligimet e tyre me kohë të pagesës së tatimit në pronë, në mënyrë që të shmangen kostot shtesë, interesat, gjobat dhe procedurat përmbarimore.
Drejtori Avdyl Kastrati, falënderon të gjithë qytetarët të cilët me përgjegjësi janë duke i përmbushur obligimet e tyre ndaj Tatimit në Pronë, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e projekteve dhe shërbimeve komunale.
DBF-ja gjithashtu, njoftojnë se bazuar në Ligjin për Tatimin në Pronë Nr. 06/L-005, konkretisht nenin 22 dhe nenin 23 për pagesën e detyrimeve tatimore dhe shpërndarjen e pagesave, Drejtoria për Buxhet dhe Financa – Zyra e Tatimit në Pronë në Komunën e Gjilanit, nxjerr këtë njoftim.
Të nderuar qytetarë (tatimpagues) të Komunës së Gjilanit,
Me qëllim të lehtësimit të procedurave dhe duke pasur parasysh vonesën në lëshimin e faturave për vitin 2026 nga Departamenti i Tatimit në Pronë, Komuna e Gjilanit njofton edhe një herë tatimpaguesit që janë të regjistruar në sistemin e tatimit në pronë me numër personal të Republikës së Kosovës, se mund të nxjerrin faturën e tatimit në pronë drejtpërdrejt në platformën e-KOSOVA në linkun:
https://ekosova.rks-gov.net/ apo duke u paraqitur personalisht në komunën ku janë pronarë/e ose posedues/e të pronës së paluajtshme (sportel apo zyra në DBF).
Pagesa e Tatimit në Pronë mund të bëhet në:
• Në ndonjërën nga bankat e licencuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës;
• Përmes E-Banking;
• Përmes platformës E-Kosova;
• Në Postën e Kosovës apo institucione tjera të licencuara në Kosovë;
• Nëse nuk jetoni në Kosovë, përmes alternativave tjera të pagesës.
“Gjithashtu rikujtojmë të gjithë tatimpaguesit që nuk e kanë bërë pagesën e tatimit në pronë, që pagesën ta bëjnë me kohë, në mënyrë që të shmangin llogaritjen e interesit dhe gjobës”, tha drejtori Avdyl Kastrati.
Drejtori për Buxhet dhe Financa, theksoi se pagesa e Tatimit në Pronë për personat fizik rezidentë (që kanë numër personal të Republikës së Kosovës), mund të bëhet në dy këste të barabarta:
• Kësti i parë deri më 30 Qershor 2026;
• Kësti i dytë deri më 30 Shtator 2026.
Për personat fizik jo-rezidentë (pa numër personal të Republikës së Kosovës ose me numër personal të një shteti tjetër), tatimi në pronë mund të paguhet në një këst të vetëm, më së largu deri më 30 Shtator 2026.
Sipas tij nëse pagesa nuk kryhet sipas afateve të lartcekura, pason llogaritja e gjobës dhe interesit si në vijim:
• Në shumën e tatimit të secilit këst të papaguar llogaritet gjobë prej 10%;
• Në shumën e tatimit të secilit këst të papaguar llogaritet interes mujor prej 0.65%.
Po ashtu, duke marrë parasysh rritjen e vazhdueshme të borxheve të papaguara ndër vite, Komuna e Gjilanit do të ndërmarrë masa konkrete ndaj tatimpaguesve me obligime të papaguara, veçanërisht ndaj atyre që kanë borxh mbi shumën 300.00 €.
Bazuar në:
• Ligjin Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme:
– Neni 23 – obligimi për pagesën e tatimit sipas afateve ligjore;
– Neni 25 – aplikimi i interesit prej 0.65% për çdo muaj vonesë;
si dhe në:
• Ligjin Nr. 08/L-257 për Administratën Tatimore dhe Procedurat:
– Neni 28 – obligimi tatimor është detyrim ligjor i pagueshëm;
– Neni 30 – autorizon ndërmarrjen e masave për mbledhjen e detyrueshme;
– Nenet 31, 32 dhe 33 – përcaktojnë procedurat e mbledhjes së detyrimeve dhe ekzekutimit përmes procedurave ligjore dhe përmbarimore.
“Andaj, lusim qytetarët që të kryejnë obligimet e tyre me kohë, në mënyrë që të shmangen kostot shtesë, interesat, gjobat dhe procedurat përmbarimore”, tha drejtori për Buxhet dhe Financa, Avdyl Kastrati.




