Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka takuar Florim Zukan i njohur për futbollin si Tali, pasi ky i fundit dha dorëheqje nga pozita e të parit në klubin e Gjilanit.
Gjatë vizitës që i bëri Ademi në Mal të Zi ish-presidentit të klubit kuqebardhë, temë diskutimi ishte dhe largimi i Talit nga futbolli kosovar.
Më poshtë mund ta shikoni postimin e plotë të Agim Ademit në llogarinë e tij në facebook.
Sot në vilën e tij në Buna të Ulqinit e takova Florim Zukën (Talin), ku biseduam rreth largimit të tij nga SC Gjilani. Ai e shpjegoj arsyen e largimit nga posti i kryetarit të klubit dhe planet e mëtutjeshme.
Shpreha keqardhjen time që nga futbolli kosovar u largua një investitor i madh, i cili do t’i mungojë shumë qytetit dhe FC Gjilanit.
Tali për 5 vjet e gjysmë e udhëhoqi me sukses SC Gjilanin dhe investoi shumë i vetëm, prandaj mungesa e tij do të jetë e madhe te klubi dhe tek tifozët “Skifterat”.
Talin e falënderoj për atë që i dha klubit dhe futbollit kosovar gjatë kësaj periudhe dhe i uroj suksese të vazhdueshme në bizneset e tij, me shpresë që edhe në të ardhmen do të jetë anëtar i familjes së madhe të futbollit.
Ndërkaq, SC Gjilanit i uroj riorganizim sa më të shpejtë dhe rrugëtim të sukseseshëm edhe në të ardhmen.