Nazim Gagica, drejtor në Drejtorinë e Arsimit në Gjilan, ka organizuar një pritje për nxënëset e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, të cilat të dielën e kaluar ishin shpallur kampione të Kosovës në garat e basketbollit, në kuadër të Sportit Shkollor. Gagica është shoqëruar nga zyrtarë të kësaj drejtorie, së bashkë edhe me Bekim Mustafën, drejtor i Gjimnazit dhe Afrim Selimin, kryetar i Shoqatës së Profesorëve të Kulturës Fizike në Gjilan.
Duke iu drejtuar vajzave fituese, Gagica u ka thënë atyre se e kanë bërë krenarë krejt qytetin, të gjithë i kanë bërë të ndjehen mirë dhe ka thënë fjalë miradije edhe për kryetarin e Shoqatës së Pedagogëve të Sportit Afrim Selimin, drejtorin e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” Bekim Mustafën si dhe trajnerin dhe pedagogun Selami Haziri.
Si motiv shtesë, drejtori i Arsimit Nazim Gagica, këtyre vashave u ka ndarë nga një mirënjohje, sikurse që me mirënjohje janë nderuar edhe Shoqata e Pedagogëve Sportivë dhe kryetari saj Afrim Selimi, për organizmin e këtyre garave e me mirënjohje u nderua edhe Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” dhe drejtori i saj Bekim Mustafa.
Mustafa ka thënë se gjithnjë do të jenë në përkrahje të këtyre talenteve të reja edhe në të ardhmen, kurse Afrim Selimi, kryetar i Shoqatës së Pedagogëve Sportivë ka thënë se shumë shpejt do të organizohen edhe garat e hendbollit.
Selami Haziri, pedagog i Kulturës Fizike, ka thënë se këto vajza kanë dëshmuar se janë shumë punëtore dhe ka shtuar se nuk duhet druajtur as për të ardhmen ngase nga nëntë lojtaret që janë paraqitur 5 janë nga klasat e dhjeta dhe nga 2 nga klasat e njëmbëdhjeta dhe të dymbëdhjeta.