Drita e kuqe është ndezur dhe Gjilani është futur në telashe, sidomos pas dy humbjeve në fushë të vet, fillimisht ndaj Ferizajt e tashti edhe ndaj Dukagjinit. Janë pikërisht këto dy ekipe që Gjilanin e kanë dërguar në zonën e rrezikshme, ndërkohë që u duk se Gjilani është këndellur dhe do të ngjitet drejt kreut, shkruan kryelajmi.com.
SC Gjilani po i befason adhuruesit e vet, sa me lojëra të mira e sa zhgënjyese. Pas një serie rezultatesh të mira me ekipet pretendente për kreun e tabelës, Gjilani po kthehet me telashe me ekipet që po luftojnë në fundin e tabelës. Ngjashëm ka luajtur edhe këtë të shtunë me Dukagjinin e Klinës, ekip ky që e ka shokuar Gjilanin që në pjesën e parë. i trimëruar me dy ndeshjet e fundit, Gjilani e ka nisur ndeshjen me një lojë sulmuese, por që në minutën e pestë është shokuar nga Pefqeli, i cili ka shënuar gol mbi duart e Bllacës, që sivjet është inkuadruar për herë të parë në portën vendase. U duk se kjo ishte një rastësi dhe se shumë shpejt Gjilani do të barazojë, por kur me të gjitha forcat ishin hedhur në sulm, një kundërsulm i shpejtë dhe vendosja jo e mirë e Gjilanit bëri që Berisha të shënojë në minutën 42 për 0:2.
Në pjesëlojën e dytë, Gjilani është munduar që me pasime të gjata dhe harkime nga krahu drejt qendërsulmuesit Jaroviq të bëjë diç më shumë, por këta topa rëndom lehtë dëboheshin nga mbrojtja klinase.
Gjilani ka fituar një penalti në minutën 81, kur Morina është rrëzuar në brendi. Jaroviq ishte i pagabueshëm nga pika e bardhë, duke qëlluar mesin e portës, derisa Muhaxhiri u hodh në të majtë.
Deri në fund të ndeshjes Gjilani nuk krijoi asgjë dhe humbja mbeti e pashmangshme, Gjilani – Dukagjini 1:2. /kryelajmi.com/