ARSIMI

DR. ASDREN TOSKA LIGJËROI PËR KËSHILLIM NË KARRIERË PARA NXËNËSVE TË GJIMNAZIT NATYROR “XHAVIT AHMETI”

Në kuadër të këshillimit për karrierë, në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” para nxënësve të klasave të dhjeta është paraqitur dr. Asdren Toska, ligjërues, i cili më herët kishte qenë nxënës i gjimnazit dhe i cili studimet bachelor, master dhe doktoratë i ka përfunduar në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Toska, para nxënësve, që ishin në numër shumë të madh, ka mbajtur një ligjëratë në temën “Komunikimi i Integruar në Marketing – Promocioni”, ku ai është ndalur në pikat kyçe si Marketingu vs. Integrimi i formave të komunikimit në marketing; Përparimi i shitjes; Shitja personale; Marketingu i drejtpërdrejtë dhe  Marrëdhëniet me publikun. Ai para nxënësve ka sqaruar se si ata ta kuptojnë tregun dhe nevojat e  konsumatorëve, format e komunikimit në treg dhe se kujt i dedikohet reklama dhe cilat janë qëllimet e saj, pastaj si duhet të jetë përmbajtja e mesazheve në reklama, cilat janë kanalet e komunikimit dhe se çfarë rëndësie kanë ngjyrat në reklama, pa anashkaluar as shitjen e produkteve, strategjitë se si të bëhet shitja dhe se çfarë duhet të jenë marrëdhëniet me publikun e shumë aspekte të tjera në këtë lëmi, gjithsesi se duke marrë shembuj adekuatë dhe duke bërë me dije se çfarë përfitime sjell marketingu.

Dr. Asdren Toska, para nxënësve në mënyrë kronologjike foli për rrugëtimin e tij arsimor e shkencor dhe  pas ligjëratës tejet interesante është ndalë në një bashkëbisedim me nxënësit, të cilët janë interesuar të dinë se cila është rëndësia e studimit të ekonomisë, se çfarë benifite sjell marketingu, cila është e ardhmja e kësaj fushe, por edhe për kahet se ka po shkon ekonomia kosovare.

Kjo ngjarje është mbajtur në kuadër të aktiviteteve për këshillim në karrierë, aktivitete këto që do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

You Might Also Like