LAJME

Drejtoria e Kadastrit në Gjilan në shërbim të hapjes rrugë investimeve në infrastrukture

Gjilan, 1 qershor 2018 – Konferenca e radhës nga ekzekutivi i Gjilanit, sot është mbajtur nga drejtori Sadudin Berisha, udhëheqës i Drejtorisë së Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës, që para mediave ka paraqitur shkurtimisht, punët, angazhimet, sfidat dhe synimet e drejtorisë në kuadër të planifikimit.

Ai tha se planifikimi i kësaj drejtorie është ambicioz, por i realizueshëm me punë dhe përkushtim, sikur që ka garantuar efikasitet që punët e planifikuara për investime në sektorin publik nga Komuna e Gjilanit do të kenë mbështetjen e fuqishme dhe me prioritet të kësaj drejtorie.

Më tej Berisha ka thënë se kërkesat që adresohen në  këtë drejtori, të gjitha trajtohen me prioritet dhe në afatin optimal, ku deri në këtë fazë janë trajtuar mbi 95 për qind e kërkesave të adresuara, ndërsa, në proces të përgjigjes janë më pak se 5 për qind e lëndëve të pranuara.

“Si drejtori jemi duke dhënë shërbime me një përkushtim të madh dhe gjithnjë në funksion të zbatimit të ligjit dhe dokumenteve të tjera që ka Komuna e Gjilanit. Kërkesat, matjet në terre, caktimi i pikave për projekte me interes të përgjithshëm, revidimet, certifikata e dokumente të tjera që kjo drejtori lëshon çdo ditë, janë poashtu një pjesë e punës dhe e planifikimit vjetor. Plani i punës në secilën fazë është përmbushur e shumë herë edhe tejkaluar. Edhe këtë vit do të ketë përmbushje të planit dhe tejkalim në aspektin pozitiv”, ka thënë ai.

Drejtori Berisha ka njoftuar se do të ketë shumë aktivitete me të cilat do të merret kjo drejtori.

“Me datën 4 qershor do të mbahet debat publik në sallën e Teatrit të Qytetit i organizuar nga qeveria e Kosovës dhe Komuna e Gjilanit, repsketivisht drejtoria e Kadastrit, për shpronësimin e pronave për ndërtimin e autoudhës e cila kalon nëpër territorin e Gjilanit. Është mirë që të jenë numër sa më i madh i qytetarëve, sepse për të gjitha interesimet marrin përgjigjen direkte nga zyrtarët kompetent të dy ministrive të Qeverisë së Kosovës”, njoftoi Berisha.

Gjithashtu ai tha se gjatë kësaj periudhe janë realizuar edhe dy debate të kësaj natyre për hyrje-daljet e qytetit, Gjilan – Prishtinë  dhe Gjilan – Ferizaj. Gjithashtu edhe matja e rrugëve të arave që është investuar nga Komuna e Gjilanit në disa fshatra gjatë kësaj periudhe.

Për rrugën Qarkore, Drejtori Sadudin Berisha, ka sqaruar publikun se vendimi për bartjen e implikimeve buxhetore padrejtësisht i është bartur Komunës së Gjilanit dhe kjo është një barrë e rëndë që bartet tash e një kohë të gjatë.

“Vendimin për rrugën qarkore e ka marrë një pushtet pushtues i kohës, në vitit 1994. Qeverisja e PDK-së e ka legalizuar këtë dhe është detyruar Komuna që të jetë bartësja e përgjegjësive financiare të një vendimi që nuk e ka sjellur vet. Kjo është bërë pa një analizë të thuktë, se a është kjo rrugë urbane, apo është ndërurbane. E kur është ndërurbane, përgjegjësinë financiare nuk e ka më Komuna, por Qeveria e Kosovës. Me ardhjen tonë në pushtet ne e kemi adresuar kërkesën që qeveria të merr këtë përgjegjësi dhe deri sot nuk kemi përgjigje”.

“E kemi ripërsëritur kërkesën me mbështetjen e plotë të kryeministrit Haradinaj, se kjo çështje do të trajtohet në qeverinë e Kosovës dhe përgjegjësinë për këtë projekt duhet ta merr qeveria. Kjo le të mbetet një përgjigje për zërat e paartikuluar dhe duke dezinformuar opinionin e gjerë nga përfaqësuesi i PDK-së në Kuvend. Statusi i kësaj rruge nuk është në juridiksionin e Komunës së Gjilanit si rrugë urbane, por është rrugë ndërurbane, që i takon Qeverisë së Kosovës të merret me këtë”, ka potencuar Berisha.

Ai gjithashtu ka njoftuar të gjithë qytetarët që kanë prona në rrugën qarkore se kryetari Haziri është duke bërë maksimumin e mundshëm me kërkesa të vazhdueshme në adresë të qeverisë, që kjo barrë e madhe për Komunën e Gjilanit të zgjidhet.

Gjithashtu ai ka përmendur edhe projektin për varrezat, që është tashmë duke u trajtuar me prioritet të lartë dhe do të punohet që kjo të realizohet sa më parë që parashihet në një sipërfaqë prej 25 hektarëve.

Projekt tjetër me të cilin është duke u marrë në aspektin e Gjeodezisë dhe Kadastrit është edhe projekti i investimit të rrugës që është i planifikuar nëpër trasën e rrugës së vjetër të Komanovës.

Ndryshe, gjatë javës së ardhshme do të vazhdohet edhe me konferenca të tjera nga dikaster tjerë, e gjithë kjo në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut, për punët dhe të arriturat e sfidat që kanë sector të ndryshëm.

You Might Also Like