Futboll

Drita ruan dallimin në pikë ndaj Prishtinës

Liderit në tabelë të Superligës së Kosovës në Futboll, KF Drita, i ka mjaftuar pjesa e parë që të shënojë fitore në ballafaqim me të fundit në tabelë, Vllazninë e Pozharanit me rezultat 2:0. Kjo fitore njëkohësisht shënon edhe një rekord që e ka thyer ekipi gjilanas, si ekipi me serinë më të gjatë pa humbje, kurse më shumë se kjo bardh e kaltrit i ka gëzuar fitorja, që edhe më tej i mbanë në kreun e tabelës me tri pikë më shumë se sa përcjellësi i parë, KF Prishtina.

Drita mirë e nisi ndeshjen dhe për herë të parë ka shënuar që në minutën 18, kur mbrojtësi mysafir Thaçi, në brendi ka luajtur me dorë, kurse gjyqtari dha penalti. Mbrojtësi vendas Gërbeshi, me gjuajtje të saktë ka dërguar portierin mysafir në njërën anë e topin në anën tjetër për 1:0.

Thaçi u tregua i pavëmendshëm në minutën 29, kur si lojtar i fundit ndërhyri në mënyrë të parregullt, kurse atij iu dha direkt kartoni i kuq. Në minutën 40 pasi është shërbyer nga e majta, Xh. Shabani me gjoks ktheu topin deri te Musaj, që e qëlloi me të parën, mu në këndin e epërm të majtë të portës mysafire për rezultatin 2:0.

Drita pati rast të mirë edhe në minutën 43, por Fazliu qëlloi vetëm shtyllën, kurse në pjesën e dytë të lojës, të dy ekipet sikur menduan për ndeshjet e radhës, Drita ndaj Llapit në Podujevë e Vllaznia ndaj Prishtinës në Gjilan.

You Might Also Like