Sportet luftarake

E dhimbshme – Leotrim Rexhepi braktis boksin për shkak të mungesës së mbështetjes financiare

Njëri nga boksierët më të talentuar të pasluftës në Kosovë, Leotrim Rexhepi, është detyruar të tërhiqet nga boksi në moshën 25-vjeçare. Ky vendim i vështirë erdhi pas një dekade të përkushtimit të tij në këtë sport, ku fillimisht shkëlqeu në boksin amator, ndërsa në dy vitet e fundit garoi si profesionist.

Në boksin profesionist, Rexhepi zhvilloi shtatë ndeshje, duke arritur katër fitore, një barazim dhe dy humbje – një bilanc mbresëlënës për një sportist të ri dhe premtues. Megjithatë, mungesa e mbështetjes financiare e ka detyruar atë të marrë një vendim të hidhur.

“Ky ishte një vendim shumë i vështirë për mua, por nuk kisha zgjedhje tjetër,” thotë i zhgënjyer Rexhepi. “Kur fillova boksin profesionist, Kosova ende kishte regjim vizash dhe nuk mund të përfitoja nga ofertat për të boksuar në arenat evropiane. Pasi u hoqën vizat, sfidat u shtuan edhe më shumë, sepse duhej të siguroja fonde për udhëtime, akomodim, stërvitje dhe gjithçka tjetër që kërkon një karrierë profesioniste.”

Rexhepi, i cili gjithmonë e ka dashur boksin dhe kishte bërë tatuazh dorezat e boksit në trupin e tij si simbol i përkushtimit ndaj këtij sporti, ndjen keqardhje të madhe për këtë largim të detyruar.

“Kam investuar shumë nga vetja në këtë sport dhe nuk e kisha menduar kurrë që në kulmin e karrierës do të detyrohesha ta braktisja boksin për shkak të mungesës së financave. Shumë herë kam udhëtuar me paratë e mia në Itali dhe Spanjë, ndërsa disa afaristë nga Gjilani më kanë ndihmuar pa kushte dhe u jam mirënjohës pafund. Pa ta, nuk do të kisha mundur të zhvilloja asnjë meç,” shprehet ai.

Largimi i tij nga ringu është një tjetër dëshmi e problemeve të sportistëve në Kosovë, të cilët shpesh detyrohen të braktisin ëndrrat e tyre për shkak të mungesës së përkrahjes institucionale.

“Për momentin, jam shumë i trishtuar. Po ndahem nga dashuria më e madhe e jetës time, nga boksi, nga ringu dhe nga tifozët e mi të flaktë. Më duhet pak kohë për të menduar për hapat e ardhshëm,” thotë Rexhepi, duke lënë të hapur mundësinë për një rol tjetër në botën e sportit.

Në fund, ai ka falënderuar edhe gazetarët që kanë ndjekur karrierën e tij, duke theksuar rolin e tyre të rëndësishëm në promovimin e boksit dhe të sportit në përgjithësi.

Ky rast është një thirrje për institucionet lokale dhe qendrore që të reflektojnë mbi mungesën e mbështetjes për sportistët kosovarë. Ligji për sponsorizimin dhe përkrahja institucionale mbeten çështje të pazgjidhura, duke detyruar sportistët tanë të ndërpresin karrierën e tyre në kulmin e suksesit.

You Might Also Like