Dr. Fatbardh Veseli ka mbajtur ligjëratë në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, para studentëve të fakultetit të Shkencave Kompjuterike. Gjatë kësaj ligjërate ai ka folur rreth fushave kryesore të shkencave kompjuterike, nga programimi, interneti dhe arkitektura kompjuterike.
Dr. Fatbardh Veseli fillimisht ka folur për rrugëtimin e tij të studimeve, punën, përvojën dhe aktivitetet e përgjithshme në aspektin profesional, duke sjellë kështu përvojën e tij tek studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të UKZ-së nga përvoja e tij e deritashme.
Më pas ai kryesisht është fokusuar tek siguria kibernetike dhe privatësia. Duke folur për sigurinë kibernetike Dr. Fatbardh Veseli tha se ajo përfshinë një sërë masash të ndërmarra për mbrojtjen e sistemeve, rrjeteve dhe programeve nga sulmet digjitale. Këto sulme sipas Veselit, zakonisht kanë për qëllim hyrjen, ndryshimin ose shkatërrimin e informacionit të ndjeshme, andaj përdoruesit duhet të kuptojnë dhe të respektojnë parimet themelore të sigurisë së të dhënave si zgjedhja e fjalëkalimeve të forta, të qenit të kujdesshëm për attachment-e, në email, etj.
Kurse duke folur për privatësinë Dr. Fatbardh Veseli ka thënë se të gjithë përdoruesit e teknologjisë duhet të jenë të kujdesshëm në të dhënat personale.
Dr. Fatbardh Veseli po ashtu i është përgjigjur interesimeve të studentëve që kishin të bënin rreth zhvillimit të hovshëm të teknologjisë dhe përdorimit të saj në ditët e sotme.