Fatmir Matoshi, nënkryetar i komunës së Kamenicës, ka dhënë dorëheqje nga posti që e ka ushtruar deri më tashti, për t’u bërë pjesë e qeverisë së Kosovës. Matoshi, partia e të cilit, AKR, u fut në koalicion me PAN-in, tashti do të marr një detyre të re në Qeverinë e Kosovës.
Për vendimin e tij, Matoshi ndër të tjera ka thënë:
Të dashur bashkëqytetarë të Kamenicës,
Përmes këtij postimi dëshiroj të ju njoftoj se nga dita e hënë 18 shtator 2017, nuk do të jem më Nënkryetari i Komunës së Kamenicës, pozitë nga e cila jam përpjekur maksimalisht të ju shërbej nga muaji shkurt i vitit 2014.
Arsyeja e kësaj dorëheqje është angazhimi im i ri të cilin do ta filloj në ditët që vijnë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, me vendim dhe mbështetje të… Zëvendëskryeministrit të parë dhe Presidentit të AKR-së z. Behgjet Pacolli, të cilit i jam mirënjohës për besimin e dhënë.
Për dorëheqjen time e kam njoftuar edhe Kryetarin e Komunës dhe Administratën komunale të Kamenicës, duke i falënderuar për bashkëpunimin dhe angazhimin e përbashkët që kemi pasur dhe duke i siguruar ata se sfidat e problemet me të cilat jemi përballur tashmë i konsideroj si të kaluara.
Shpresoj që në këtë mandat nuk ju kam zhgënjyer, përkundër faktit se kanë mbetur shumë punë pa u bërë. Konsideroj se punët e detyrat që më janë deleguar i kam kryer me nder e përkushtim të madh.
Deshirojë të falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan në projektet në të cilat kisha rol udhëheqës, Qeverinë e Kosovës, ish- Ministren Edita Tahiri, UNDP-në, DEMOS-in, Islamic Relief Kosova, Këshillin e Evropës, KFOR-in Amerikan, OSBE-në, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe organizata e donatorë të tjerë.
Falënderoj votuesit e AKR-së për mbështetjen dhe besimin në zgjedhjet lokale të vitit 2013, i siguroj ata sikurse edhe të gjithë qytetarët se puna ime ka qenë plotësisht e pastër, është dëshmuar dhe do të dëshmohet edhe në të ardhmen nga të gjitha auditimet.
Duke ju uruar shëndet të mirë dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët ju siguroj se Kamenica mbetet prioriteti im gjatë gjithë jetës.