Futboll

Fundi ishte fatlum për Dritën

Drita Drenica 2:1 (1:1)

Shënues: Baftiu 5’, Tahiri 87’ – Koxy 43’ nga pika e bardhë

Drenica ka dalë të jetë arrë e fortë për Dritën në ndeshjen e luajtur me bari sintetik në Gjilan.

Fillimi i ndeshjes nuk paralajmëroi punë të vështirë për liderët aktualë në tabelë, ngase që në minutën e pestë dolën në epërsi nëpërmjet Blend Baftiut, i cili ia doli qetë shënojë për të zhbllokuar rezultatin për 1:0. Rast të mirë pati edhe Marko Simonovski në minutën 25, kurse pak para se të mbyllej pjesëloja e parë Drenica fitoi një penalti, të cilën e shkaktoi kapiteni Ardian Limani, i cili edhe është ndëshkuar me karton të verdhë. I pagabueshëm nga pika e bardhë është treguar Bintsouka Koxy, i cili shënoi në minutën 43, rezultat me të cilin u mbyll pjesëloja e parë.

Ardian Nuhiu u desh që në pjesëlojën e dytë të bëjë disa zëvendësime, me qëllim që të zhbllokojë rezultatin, por Drenica mbrohej me të gjitha forcat dhe rrezikonte nëpërmjet kundërsulmeve.

Në minutën 75, Tahiri gjuajti me gërshërë, por Azem Bejta e nxori topin nga vija e portës dhe shpëtoi gol të sigurt. Në minutën 78 gjuajtjen e Kryeziut e priti portieri Shala që e dërgoi topin jashtë fundores.

Drita ia doli të shënojë në minutën 87, kur pas një harkimi të Krasniqit, Ardit Tahiri u shkëput më së larti dhe me kokë qëlloi këndin e poshtëm të djathtë të portierit Shala të Drenicës për rezultatin 2:1, rezultat me të cilin përfundoi ndeshja./kryelajmi.com/.

You Might Also Like