Gjilan

Gjilani i këtyre ditëve, në njërën anë dritat vezulluese e disa metra më larg terr i plotë

Edhe pak minuta dhe do të thyhet rekordi. Gjysma e Gjilanit 12 orë pa energji elektrike dhe askush as që mund ta di se kur pritet rikthimi i dritave.

Subjektet afariste në lagjen „15 qershori“ mezi që kishin pritur fundvitin, kohë kur kthehen mërgimtarët, që së paku këto ditë të afarojnë më mirë, por me rënien e muzgut, njëra anë e rrugës u desh që dyqaneve t’ua vë drynin, derisa ana tjetër kanë rrymë dhe vazhdojnë të punojnë deri në mesnatë.

Në qendër të qytetit, tash e sa kohë ishte paralajmëruar eventi „Verë në dimër“, por ai është shndërruar në „Terr në dimër“, ngase mbrëmja e kësaj të premteje u shkoi huq, ngase për t’a rrymë nuk pati për 12 orë. Në anën tjetër të rrugës, jo që ka rrymë, por aty vezullojnë dritat e Vitit të Ri sikur të ishin në Las Vegas, pa qarë kokën se pak metra nga aty njerëzit janë në terr.

Dikur apelohej për kursim të energjisë, edhe shteti nëpërmjet inspektorëve dilte në terren, duke ua tërhequr vërejtjen atyre që harxhonin pa nevojë, por tashti kjo gjë nuk po ndodh, ngase në terasat e kafiterive ku nuk është i ulur asnjë person, dhjeta drita qëndrojnë të ndezura pa kurrfarë nevoje, kurse pjesa tjetër e qytetit dhe fshatra të tëra janë në terr të plotë, pa ngrohje që nga orët e hershme të mëngjesit, me pleq të mbështjellë me batanije, fëmijë të mërdhirë e qytetarë që pa dëshirën e tyre dalin të shëtisin për të ngrohur trupin, apo edhe të atillë që vizitojnë kafiteritë sa për t’u ngrohur. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like