Libri

“Gjilani – terrori, represioni dhe eksodi 1944 – 1956” i Reshat Ramadanit, libër me rëndësi për të kaluarën e Gjilanit

Reshat Ramadani, profesor i historisë, të ribotuar ka sjellë librin “Gjilani – terrori, represioni dhe eksodi 1944 – 1956”. Autori versionin e parë të librit e kishte botuar më 2002, por ky libër tash vije më i plotë, kurse këtë libër të veçantë e bëjnë edhe mbi 100 skanime, dokumente e fotografi.

Profesor Reshat Ramadani, thekson se ky libër përfshin një periudhë të rëndë të popullit shqiptar të Gjilanit, të  viteve 1944 deri më 1956, kurse Masakra e Gjilanit e viteve 1944 -1945 ishte një ndër më të rëndat që ndonjëherë kishte përjetuar ky qytet.

Autori Reshat Ramadani, tash e sa kohë në pension, duke qenë qytetar i vjetar i Gjilanit, thekson se e njeh mirë qytetin, lagjet e Gjilanit e është i lidhur me  familjet e atyre që kishin pësuar, andaj në bërjen dhe plotësimin e librit ka bashkëbiseduar me pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të këtyre ngjarjeve të bujshme. Në libër autori arrin të sjellë rrëfime, dokumente e foto, por gjithashtu ka shfrytëzuar edhe literaturë, me rrëfime bindëse, duke ndriçuar shumë personalitete e ka raste kur familje gjilanase kishin humbur 3 deri në 4 anëtarë. Nga Gjilani pati të rinj të ekzekutuar që ishin radhitur në brigadat partizane e sidomos në brigadat të rinisë në Luftën e Drenicës.

Në pjesën e dytë të librit, autori Reshat Ramadani merret me të burgosurit, me raste të veçanta që nuk janë hulumtuar dhe që nuk kanë qenë të përfshirë në botimet e gjertanishme, derisa në pjesën e tretë të librit a shtjellon periudhën e dhembshme të eksodit për në Turqi, ngjarje në të cilat autori vetë kishte marrë pjesë në përcjelljen e të shpërngulurve për në Turqi. Autori sjell foto të rralla që i ka marrë nga familjarët.

Pos shumë personaliteteve që ndriçohen në këtë ribotim të librit, autori gjen edhe shumë fakte të reja dhe e gjithë kjo punë gjithsesi se është e rëndësishme për historiografinë tonë. Ai ndër të tjerë përmend Tahir Ramadan Hasanin, të njohur nga popullata si Tahir Ramë Kërça, personalitet me njohur të mëdha, i burgosur në vitet 50-ta nga regjimi komunist, i akuzuar si reaksionar dhe i cili kishte autoritet të madh tek popullata, pastaj njëjtë edhe rasti i Ahmet Nallbani, disident i njohur në rajon dhe shumë personaliteteve të tjera që janë përfshirë në këtë libër.

“Ky libër përfshinë periudhën më të vështirë të popullit shqiptar në Anamoravë dhe qytetit të Gjilanit, ku janë bërë likuidime në mënyrën më të egër të mundshme. Njerëz që janë marrë nga shtëpitë e veta janë likuiduar e varrosur në Parkun e Epërm të Qytetit, ku gjendeshin istikamet”, thekson profesori Reshat Ramadani./kryelajmi.com/.

You Might Also Like