ARSIMI

Gjimnazi “Zenel Hajdini” shënoi 79-vjetorin e themelimit

Me një program të pasur kulturor e artistik, ndarje të mirënjohjeve dhe aktivitete të tjera, këtë të enjte është shënuar 79-vjetori i Gjimnazit “Zenel Hajdini”. Në këtë ditë të veçantë, Jeton Rexhepi, drejtor ka theksuar se ky është një moment feste e përkujtimi për rrugëtimin e Gjimnazit; një moment reflektimi mbi sukseset e sfidat, mbi ato çaste të shumta gëzimi dhe vështirësitë me të cilat jemi ballafaquar.

“Është ky moment kujtimi për breza të tërë mësimdhënësish e nxënësish që nga themelimi e deri më sot; mbi përpjekjet e jashtëzakonshme të të kaluarës, mbi vështirësitë dhe entuziazmin që shënuan dekadat paraprake dhe mbi sfidat e arsimimit dhe edukimit sot, në botën moderne, kur shkolla jonë si edhe arsimimi përgjithësisht kanë ndërruar në disa pika misionin”, ka thënë Rexhepi që ka shtuar se ky Gjimnaz, për shumë prej nesh është shtëpi e dytë; është vendi i përkushtimit për mësimdhënie e mësimnxënie; është vendi ku njihemi më mirë me njëri-tjetrin, ku shohim në sy njëri-tjetrin, ku provojmë ta ndihmojmë njëri-tjetrin; është vendi ku rritemi që të gjithë secilën ditë ngapak, si profesionistë që provojmë të japim dije e duke u pajisur edhe vetë me më shumë dije; si njerëz që secilën ditë mësojmë forma shprehjeje të vetive të humanizmit, të bashkëpunimit, të qytetërimit e të rritës kulturore e arsimore.

Gjatë këtij viti kemi provuar që Gjimnazin tonë ta bëjmë më ndryshe, ta shohim më ndryshe, ta përjetojmë më ndryshe, dhe besoj se në të shumtëm ia kemi dalur të vendosim ca binarë ecjeje më ndryshe për më shumë dije, për më shumë socializim e qytetërim. Shpreh mirënjohjen e thellë për bashkëpunimin dhe mbështetjen e të gjithë juve miq e kolegë të mi të nderuar; shpreh admirimin për përshtatjen dhe gatishmërinë për ndryshim tek ju nxënës të dashur; me bindjen se të gjithë bashkë mundemi dhe ia dalim sa herë që qëllimet i kemi të mira dhe idetë të qarta se si të arrimë tek ato qëllime.

Dua një duartrokitje për gjithë punën që kanë bërë mësimdhënësit, për ndihmën dhe mbështetjen e punëtorëve mbështetës dhe për gatishmërinë e sinqeritetin e ju nxënësve. Ju lus një duartrokitje për këtë nismë të mbarë.

Sigurisht, jemi të bindur se gjithçka që kemi bërë këtë vit duhet ta analizojmë dhe të nxjerrim sintezën e duhur mbi të arriturat dhe mangësitë, në mënyrë që të vazhdojmë pastaj me hapa të tjerë përpara. Me të gjithë ju të bashkuar, besoj se mundemi edhe më shumë, besoj se mundemi edhe më mirë. Besoj në përkushtimin e të gjithë juve dhe në vullnetin e madh që keni. Besoj në kapacitetet tuaja të gjithanshme e plot gatishmëri, prandaj ju ftoj që të vazhdojmë kështu, edhe më mirë, edhe më me përkushtim.

Le ta bëjmë sot atë që mund ta bëjmë për shkollën tonë, për shkollën shqipe; për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë e familjeve tona; për sigurinë e fëmijëve tanë dhe për garancinë e kësaj sigurie, si zhvillim i Kosovës tonë, si rritë e mirëqenie ekonomike, si produkt konkurrues, si dije e si qytetërim.

Për nder të kësaj dite u organizua një program i pasur kulturor-artistik, ku performuan nxënësit në këndim, vallëzim popullor, instrumentale në piano, ese, recitale dhe video prezantime për qytetari të ndërgjegjshme.

Ky program u organizua me përkushtim të lartë nga mësimdhënëset: Arta Haziri Nuhiu, Drita Isufi Ahmeti dhe Shpresa Sermaxhaj.

Gjithashtu me mirënjohje janë nderuar profesorët Shkëlçim Zunçe dhe Besa Klaiqi si dhe klasat më të mira./kryelajmi.com/.

You Might Also Like