LAJME

Hajdari: Vendi ka nevojë për dijen dhe përvojën e mërgatës

Gjilan, 25 korrik / Në kuadër të aktiviteteve për mërgatën, që po mbahen në Gjilan, nën organizimin e Zyrës së kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, të mërkurën është organizuar debati me temë “Rinia e mërgatës flet në Gjilan”, ku u diskutuan sfidat me të cilat përballet rinia jonë, këtu dhe në mërgatë, lidhjet e mërgatës me vendlindjen, përkatësisht për mundësitë e bashkëpunimit, duke e ditur se përvoja e të rinjve, të cilët janë shkolluar në shtetet e ndryshme evropiane, mund të jetë shumë e dobishme për Gjilanin, komunë kjo që ka numër të madh të qytetarëve të saj në botën e jashtme.

Fillimisht, drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport, Shpresa Hajdari, ka thënë se në Kosovë ka shumë të rinj, të cilët dëshirojnë të shkojnë jashtë vendit dhe të studiojnë atje, por i ka porositur ata që të mos harrojnë të kthehen sërish në atdhe dhe me dijen e përvojën e fituar në shtetet e Evropës, ta ndihmojnë vendin e tyre.

Pasi ka përmendur veprimtaritë që po zhvillohen në Gjilan, për nder të mërgatës, Hajdari i ka inkurajuar të rinjtë që të përfshihen në aktivitete të lira, sepse në këtë mënyrë mund ta zbulojnë e zhvillojnë më lehtë talentin që kanë.

Ndërkaq, Getoar Mjeku, avokat në Teksas, tha se në Kosovë ka vërejtur një vullnet të mirë për t`i ndryshuar gjerat, por sipas tij, këtu ka ende shumë punë për të bërë. “Nuk është lehtë të dihet se çka duhet bërë më përpara, por me rëndësi është që ka vullnet për të punuar”, ka thënë ai, ndërkohë që ka folur për rrugëtimin e tij jashtë.

Në këtë debat të rinisë për mërgatën, që e ka drejtuar Genc Mustafa nga Sektori për Rini, janë përfshirë edhe pjesëmarrës tjerë nga diaspora dhe vendi, të cilët kanë shkëmbyer përvojat e tyre rreth problemeve, synimeve dhe sfidave të rinisë.

Përndryshe “Ditët e mërgatës” që kanë filluar më 4 korrik, vazhdojnë të premten, me një ekspozitë të autorit Sali Musliu, në ambientet e teatrit të qytetit, si dhe me aktivitete të tjera, të cilat zgjasin deri më 19 gusht.

You Might Also Like