Kenan Haxhihamza është shfaqur para gazetarëve në konferencën për shtyp në prag të duelit të fundjavës ndaj Ballkanit, të cilën ekipi e zhvillon në shtëpi.
Numri një i portës ka bërë thirrje gjithë bashkëlojtarëve për të pasur fokusin dhe përqendrimin maksimal në këtë përballje, si dhe të luftojnë për të marrë maksimumin e pikëve, gjithmonë duke vlerësuar edhe cilësitë e kundërshtarit.
“Na pret një kundërshtar i fortë dhe i respektuar. Por, ne do ta respektojmë vetën fillimisht dhe do të japim gjithçka nga vetja, duke filluar nga minuta e parë e lojës. Ndeshjes do t’i çasemi me seriozitetin, angazhimin më të madh dhe luftë të pakompromis. Do të sakrifikojmë të gjithë për të marrë atë të cilën kemi punuar dhe kemi kërkuar vazhdimisht”.
Ai gjithashtu foli edhe për çmimin e fituar si “Ylli i Javës” në xhiron e kaluar, derisa pati një falenderim të veçantë për bashkëlojtarët e tij.
“Gjithmonë kur shpërblehesh për punën, ke motiv për vazhdimësi. Çmimi i marë tregon rëndësinë tënde si portier që ndihmon skuadrën për të marrë fitore. Ashtu siç është punë e bashkëlojtarëve për të realizuar është edhe puna ime për të mbrojtur. Po e them pa modesti që është vetëm kam kryer detyrën time, asgjë më shumë. Por, krahas çmimit me rëndësi të veçantë është fitorja e arritur, pasi që për mua është gjithmonë në plan të parë krahas çmimeve individuale”.
Haxhihamza ndër të tjerash pati edhe një mesazh për bashkëlojtarët, derisa pret që një gjë të tillë ta bëj edhe ai vet.
“Bashkëlojtarët e mi kanë sakrifikuar në vazhdimësi, duke nisur nga kolegët e repartit të mbrojtjes, të cilët bëjnë gjithçka që topi mos të arrijë deri te unë dhe për këtë dua që t’i falenderoj. Ajo se çfarë pres nga bashkëlojtarët është ajo se çfarë pres edhe nga vetja, angazhim maksimal dhe luftë e pakompromis dhe duele të fituara. Të luajmë edhe për tifozët tanë “Skifterat” të cilëve iu kërkojmë falje për atë se çfarë ka ndodhur ditë më parë (eleminimi nga kupa), pasi që nuk përkon me atë se çfarë ne kemi bërë në atë ndeshje, nga stafi dhe drejtuesit e klubit. Tifozët tanë na kanë mbështetur edhe në momente më të vështira dhe presim që edhe këtë herë të jemi së bashku”.
Dueli ndërmjet Gjilanit dhe Ballkanit zhvillohet të dielen me fillim nga ora 13:00 në Gjilan.