Gjilan

Haziri: Abdullah Tahirin po e kthejmë në bronz për ta vendosur simbolikisht aty ku iu ndalua veprimtaria e tij

19 maj 2019 –  Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur sot akademi përkujtimore në shënim të 20-vjetorit të rënies së kolosit të kombit, Abdullah Tahiri, ku kanë marrë pjesë përfaqësues nga jeta institucionale, deputetë të Kuvendit të Republikës, përfaqësues nga FSK, policia, Bashkësia Islame e Universiteti “Kadri Zeka”.

“Sot, shpirti i Abdullah Tahirit bën dritë sepse ka qenë njëri prej njerëzve që nuk ka pasur asnjë fije sherri në shpirtin dhe mendjen e tij. Ai nuk ka ditë me mendu ndryshe, por ka qenë i drejtpërdrejt e impulsiv. Ai ka shpërthyer gjithmonë kur ka dëgjuar padrejtësi dhe ka qenë në grupin e njerëzve të mirë, të njerëzve të mëdhenj që edhe me aktin e sakrificës së tij ka zënë vendin meritor në rreshtin e madh të kombit, e që sot i bënë roje lirisë së Kosovës. 20 vite pas lirisë, Abdullahun po e kthejmë në Gjilan në bronz, për ta vendosur aty ku u ndalua në mënyrë simbolike veprimtaria e tij”, ka thënë në fjalën e tij, kryetari Lutfi Haziri.

”Kam pasur fatin që të njihem me të në dy faza të rënda, prej vitit 1989 deri në burgosje, por edhe në fazën e burgosjes në burgun hetues të Gjilanit e kam kaluar bashkë me të, duke qenë pjesë e grupit të përbashkët të akuzuar për terrorizëm dhe veprimtari armiqësore nga regjimi i kohës. Jam krenar që këto dy veprimtari i kam kaluar me të. Lavdi e përjetshme”, ka shtuar Haziri.

Në emër të Zonës Operative të Karadakut, ka folur ish-komandanti Ahmet Isufi, ndërkaq në emër të veteranëve të luftës së UÇK-së ka folur Shaqiri Shaqiri, të cilët e vlerësuan lartë veprën e heroit Abdullah Tahiri.

Në këtë akademi e ka paraqitur biografinë e heroit të kombit Ramadan Myrta, ndërkohë që në fund, në emër të familjes Tahiri, ka folur djali i Abdullahut, Iliri,  i cili  e ka falënderuar kryetarin Haziri për iniciativën dhe përkujdesjen e vendosjes së shtatores së babait të tij.

You Might Also Like