Gjilan

Haziri: Faleminderit Gani Korça për gjithçka që bëre për Gjilanin

Gjilan, 9 shtator 2017 – Me rastin e ndarjes nga jeta të gazetarit Gani Korça, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka organizuar akademi përkujtimore në shenjë nderimi të jetës dhe veprës së gazetarit i cili dekada me radhë ia kushtoi informimit dhe publicistikës.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha se Ganiu është ndar fizikisht nga ne, për të mbetur gjatë kohë në kujtesën tonë, si njeri i urtë, i përkushtuar, i vendosur dhe bashkëpunues e vizionar.

“Çdo ndarje e tillë pos tjerash tek ne të gjallët, na lë gjurmë të mëdha, jo vetëm për kujtimin, për punën dhe veprën e tij si gazetarë, por edhe për kujtimin e kohëve më të vështira të veprimit të tij. Rikthimi i tij si gazetarë në “Radio Gjilanin”, na ka gëzuar të gjithë neve, sepse ka qenë pikërisht ai që asnjëherë nuk ka rreshtur së angazhuari, derisa e bëri realitet funksionalizimin e sërishëm të “Radio Gjilanit”. Përpos si njeri i urtë, i butë, kolegial dhe i qetë, ai ishte njeri i përkushtuar në profesion”.

“E kujtoj që nga koha sa kam qenë fëmijë. Ai gjithë rrugën nga shtëpia e deri në punën e tij në qytet e ka bërë në këmbë, me ritmin e njejtë, me sjelljen e njejtë, të mirë e të butë për secilin që e ka njohur”, ka thënë kryetari Haziri.

“Lamtumirë miku ynë i dashur, faleminderit për gjithçka që ke bërë”, ishte fjalia me të cilën kryetari Haziri mbylli fjalimin e tij, në këtë akademi.

Në emër të familjes ka folur Burim Korça, i cili ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë akademi, derisa në kujtimin për Ganiun, ai tha se ndjehet krenar që kishte një familjar të tillë për të cilin gjithkush ka në mendje momente të mira që ka ndarë me gazetarin Gani Korçan.

Edhe kolektivi i “Radio Gjilanit”, ka përcjellur mesazhin e dhimbjes që kishin për kolegun e tyre tashmë të ndjerë.

You Might Also Like