Gjilan

Haziri: Gjilani po vazhdon ta vuaj traumën e ‘Palermos’

Gjilan, 21 tetor –  Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në mbledhjen e bordit të drejtorëve, e cila u transmetua drejtpërdrejt nga mediat, ka deklaruar se së shpejti pritet të ndodhë rishikimi funksional i 12 udhëheqësve të dikastereve përkatëse.

Në këtë takim, drejtorët komunal dhe shefat e zyrave dhe njësive kanë raportuar për 9-mujorin e punës, për arritjet, sfidat dhe problemet.

“Gjatë kësaj periudhe kemi realizuar dhe janë në realizim projekte infrastrukturore e fushat tjera në vlerë prej dhjetëra miliona euro. Zgjedhjet kanë afektuar disa projekte, por nuk jemi ndalë asesi. Lajmi i mirë është që është shpallë oferta publike e rrugës katër korsi prej 7.2 kilometrash, Gjilan-Penda e Livoçit”.

“Do të vazhdojmë investimet në rrugën Gjilan-Bujanoc, në Rrugën e Kumanovës, në rrugën prej Livoçit të Ultë në drejtim të Kllokotit dhe rrugët tjera që janë pjesë e investimeve. Pastaj, përfundimi i rregullimit të lumit Mirusha, Tregut të Gjelbër dhe punimet te Stadiumi i Qytetit, janë projekte që eliminojnë nevojën e qarkullimit me vetura”, tha Haziri.

Ndërkohë, si projekt tepër të rëndësishëm i cili do të realizohet në vitin e ardhshëm, i pari i gjilanasve ka thënë se është ai i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, me kosto afro 30 milionë euro.

Kryetari Haziri tha se as pas tri vjetësh të suspendimit të 30 zyrtarëve komunalë si pasojë e një aktakuze për krim të organizuar, akoma nuk kemi epilog nga organet e drejtësisë.

“Si pastojë e kësaj, Gjilani vazhdon ta vuaj traumën e ‘Palermos’ që po duhet jashtëzakonisht shumë angazhim për t’i bindur donatorët për mbështetje nga Gjilanit. Si rrjedhojë e kësaj, kemi mungesë të punëtorëve në pozita vakante dhe deri në fjalën përfundimtare të drejtësisë, nuk mund të angazhojmë punëtorë me kontrata afatgjate të shërbimit civil ”, tha Haziri.

You Might Also Like