Gjilan, 3 nëntor 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me bashkëpunëtorët e tij, në mbledhjen e mbajtur sot me këshillin e drejtorëve, ku ishte prezentë edhe përfqësuesi i USAID-it, është diskutuar për përmbylljen më të mirë të mundshme të periudhës së mbetur të tremujorit të fundit të këtij viti në aspektin e punëve, realizimit të projekteve, pagesave, duke e shfrytëzuar këtë kohë e cila është e favorshme për të punuar ende dhe njëkohësisht përgatitjen për planin e punës dhe programin për vitin e ardhshëm 2019.
Në fjalën e tij kryetari Haziri, ka kërkuar nga drejtorët e drejtorive komunale që dinamikën e punëve ta ngritin, sikur që ka kërkuar bashkëpunim sipas natyrës së punës edhe të drejtorive mes vete, që shërbimi i nivelit lokal të jetë pranë kërkesave të qytetarëve dhe zgjidhjes së tyre.
Ai njëkohësisht ka kërkuar që për vitin e ardhshëm të punohet së pari në përmbylljen e projekteve të filluara dhe të punohet në bazë të planifikimit të buxhetit edhe me investim të projekteve model të dëshmohet angazhim jo vetëm për investim por edhe për mirëmbajtjen e tyre dhe ruajtjen.
Në sektorin e shëndetësisë, kadastrit dhe bujqësisë, kryetari Haziri ka thënë se tashmë është i krijuar një stabilitet i plotë i shërbimeve për qytetarët, kurse nga drejtoritë tjera ka kërkuar që të jenë të harmonizuara mirë me Zyrën e Prokurimit, në mënyrë që të gjitha procedurat që nga inicimi e deri në finalizim të projektit të jetë e planifikuar mire dhe të harmonizuara me ligjet në fuqi, duke trajtuar të gjithë hapësirën e Komunës së Gjilanit në mënyrë të barabartë.
Për fushën e arsimit që është prioritet i kësaj qeverisje, kryetari ka ofruar mbështetjen e plotë për të gjitha nismat që pikëprekin interesin e nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve.
Në këtë mbledhje kryetari ka kërkuar që të gjitha rekomandimet e auditorit të trajtohen me prioritet, por edhe bashkëpunimi me mekanizmat dhe grupet e themeluara ndërkomunale e ndërsektoriale të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm.
“Bashkëpunimi i Komunës së Gjilanit me donatorët dhe investitorët duhet të jetë në nivelin më të mirë të mundshëm, sikur që përgatitjet për investime duhet të jenë në aspektin profesional dhe në një kohë rekorde që ajo që është e mundur të fillohet këtë vit të bëhet me planifikim të qartë, kurse ajo që mbetet për vitin tjetër sipas tij të jetë e projektuar në bashkëpunim të plotë mes vete”, ka thënë mes tjerash, kryetari Lutfi Haziri.