Gjilan

KA: Gjilani përgatitet për olimpiadën matematikore, opozita e ndërlidh me interesa politike

Komiteti i Arsimit (KA), të enjten, nën drejtimin e Arben Mehmetit, kryesues i kësaj trupe komunale, është njoftuar me përgatitjet për mbajtjen e olimpiadës së matematikës në Gjilan, planifikimin e profileve në shkollat e mesme, planin zhvillimor të DKA-së si dhe çështje të tjera nga fusha e arsimit, ndërkaq e ka shtyrë për një takim tjetër shqyrtimin e përgatitjeve për testin e maturës.

Shqipe Kastrati, ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Arsimit, ka thënë se olimpiada e matematikës, sivjet do të zhvillohet në qytetin e Gjilanit, në periudhën 19021 maj.

Nxënësit e kësaj komune, për vite me radhë kanë treguar rezultate të kënaqshme në këtë garë mbarëkombëtare, ka thënë ajo.

Në këtë olimpiade marrin pjesë fituesit e fazës finale të olimpiadave të klasave VII, VIII, IX, të cilat janë zhvilluar në Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Kosovë dhe Mal të Zi.

Opozita (VV e PDK) ka thënë se Gjilani nuk ka pasur nevojë të marrë organizimin e kësaj olimpiade, meqë Ferizaj e ka refuzuar. Sipas tyre, pushteti i tashëm po e bën këtë për qëllime politike, meqë sivjet jemi në një vit zgjedhor.

Ndërkohë, LDK e AAK e kanë mirëpritur organizimin e olimpiadës në qytetin e tyre.

Sa i përket regjistrimit të nxënësve në shkollimin e mesëm, Kastrati ka thënë se Drejtoria e Arsimit, është në periudhën e planifikimit të numrit të saktë të nxënësve në paralele si dhe caktimit të numrit të paraleleve në nivel të shkollave të mesme, në harmoni me udhëzimet administrative.

DKA do të kërkojë leje për planifikimin e numrit më të vogël të nxënësve nëpër paralele, me qëllim të ngritjes së cilësisë në procesin mësimor si dhe ruajtjes së vendeve të punës për mësimdhënës.

“Prioritet i Drejtorisë së Arsimit për vitin shkollor 2017-2018 do të jenë shkollat profesionale në planifikimin e profileve duke i përshtatur në harmoni me tregun e punës”, ka thënë ajo.

Në disa interesime rreth konkurseve për drejtorë dhe mësimdhënës, përkatësisht shpalljes së disa vendeve të punës, një muaj para përfundimit të vitit shkollor, mungesës së një shujte ditore për mësimdhënësit pjesëmarrës në trajnim, kriteret e dyfishta te disa transferime në arsim, të cilat i kanë ngritur përfaqësuesit e opozitës, Fehmi Sylejmani (VV) Leonora Bunjaku-Morina e Shukrije Rapuca (PDK), sikurse edhe për disa çështje të tjera arsimore që i kanë ngritur përfaqësuesit e subjekteve politike në qeverisje, Idriz Ramadani e Arta Hyseni (LDK) si dhe Ajtene Shahiqi (AAK), është përgjigjur drejtoresha Shqipe Kastrati.

Sa i përket konkurseve, Kastrati ka thënë se kjo është çështje ligjore, që duhet të respektohet pavarësisht se në cilën periudhë paraqitet nevoja, ndërkaq sa i përket shujtës ajo ka thënë se trajnimi është organizuar nga MASHT-i dhe është mbajtur gjatë ditëve të punës.

“Është politikë e Komunës që të mos ketë dreka, as darka për askënd”, ka thënë ajo.

Në lidhje me pyetjen për transferimet në arsim, ajo ka nënvizuar se këto lëvizje janë të lejuara me ligj, në rastet e arsyeshme dhe kur ka mundësi të bëhen.

Përndryshe, kryesuesi Arben Mehmeti (LDK) ka thënë se ky Komitet i ka trajtuar të gjitha çështjet nga fusha e arsimit, të cilat janë propozuar e kërkuar nga anëtarët e kësaj trupe, prandaj edhe është vlerësuar ndër komitetet më të mira nga shoqëria civile.

You Might Also Like