Gjilan, 10 tetor 2024 – Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve L.F. dhe H.I., në kohëzgjatje prej 30 ditësh, nga Gjykata Themelore në Gjilan.
Sipas kërkesës, i pandehuri L.F., më datën 9 tetor 2024, në komunën e Kamenicës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror ka zhvilluar veprimtari të paautorizuar të shitblerjes së produkteve duke shmangur taksat e obligueshme, ashtu që pas kontrollit nga Njësia e Task Forcë DRK – Lindja, në veturën e tij janë gjetur 14 paketime, me 700 boksa cigare të llojit Winston, pa dokument apo faturë mbi prejardhjen e mallit, në vlerë rreth 14.700 euro, të cilat ka pasur për qëllim që përmes rrugëve ilegale ti dërgonte në Serbi.
Me këto veprime dyshohet për veprën penale ‘’Tregtia e ndaluar’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Po ashtu, i njëjti dyshohet edhe për veprën penale ‘’Falsifikimi i dokumentit’’, të KPRK-së, pasi që ka përdorur pasaportë të falsifikuar.
Ndërsa, i pandehuri H.I., dyshohet për veprën penale ’’Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore’’, të KPRK-së, pasi që gjatë kontrollit tek shtëpia e të njëjtit janë gjetur paketime të ndryshme të cigareve, pa dokumentacion përcjellës për prejardhjen e mallit.
Gjithashtu, i pandehuri H.I., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka vënë në qarkullim para të falsifikuara, ashtu që tek i njëjti janë gjetur edhe monedha metalike nga 2 euro, në vlerë të përgjithshme 640 euro.
Me këto veprime dyshohet se i pandehuri H.I., ka kryer veprën penale ‘’Falsifikimi i parasë’’, të KPRK-së.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, të njëjtit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.