Ekipet e futbollit kanë kërkuar që në Stadiumin e Qytetit në Gjilan të mos mbahen tubime zgjedhore, ngase do të rrezikohej drenazhi i fushës, me cka do të shkatërrohej fusha e futbollit.
Një kërkesë e tillë ka ardhur nga dy klubet Gjilani e Drita, kurse këtë shqetësim e ka paraqitur Feti Murseli, drejtor i FC Drita.
Pas këtij shqetësimi, Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit ka thënë se do t’a mirëpresin këtë kërkesë të klubeve.
“Përkundër përgatitjes dhe vullnetit tonë, si kandidat i këtij qytetit për kryetar komune, ju siguroj nuk do të mbajmë tubim politik në stadium, në mënyrë që t’ua lëmë këtë hapësirë futbollit dhe të mos e dëmtojmë”, ka thënë Lutfi Haziri, duke shtuar se për partinë tjetër (VV) ka bërë aprovimin, por është vlerësim i tyre. “Unë e respektoj kërkesën e dy klubeve”, është shprehur kreu i Gjilanit.
Në një konferencë me gazetarë, edhe Arbreshë Kryeziu – Hyseni, ka theksuar se VV kishte bërë kërkesë që të mbajë një tubim të madh zgjedhor në Stadium, por se sipas saj edhe Vetëvendosje do të zhvendoset në një ndonjë lokacion tjetër.