ARSIMI

Klasa për lakmi, vetëm 24 mungesa për një vit shkollor

As një mungesë pa arsye për kokë nxënësi gjatë një viti shkollor, kjo është e arritura e paraleles së Gjimnazit Shoqëror “Zenel Hajdini” në Gjilan, e cila drejtohet nga profesori i Gjuhës dhe Letërsisë Frënge, Mejdi Musliu.

Në kohën kur shkollat tona ditarët janë vërshuar nga mungesat e shumta, në ditarin e paraleles së profesorit Mejdi Musliu me javë të tëra rubrikat ku shënohen nxënësit që mungojnë janë të zbrazëta e për ndonjë vërejtje për mosdiciplinë apo gjë tjetër as që mund të flitet.

Mund të thuhet se ja që i kanë qëlluar nxënësit të mirë dhe të urtë, por ky nuk është rekordi që ka arritur ky mësimdhënës me klasën e tij, ngase disa vite më parë, ai ka drejtuar një klasë me 32 nxënës, e cila kishte për një vit shkollor vetëm shtatë mungesa.

Mejdi Musliu, që ka tri dekada që punon në arsim është pedant në punën e tij, kurse që në fillim të vitit shkollor nxënësve të klasave që i drejton ua bënë me dije se nuk toleron mosvijimin, mbajtjen e klasës të papastër, gërvishjet nëpër banka e dëmtimin e inventarit.

“Unë kërkoj rend e disiplinë, punë e mësim, por meritën për këtë ua lë nxënësve, të cilët janë të përpiktë, të urtë e të sjellshëm”, thotë profesori Mejdi Musliu, i cili në klasët që i drejton shpesh organizon debate me nxënës, orë letrare e bile nganjëherë edhe shfaqje të shkurtra në gjuhën frënge.

“Paralelja që kam drejtuar sivjet kishte gjithsej 18 nxënës, kurse gjatë vitit shkollor gjithsej kishin 24 mungesa, nga të cilat 18 ishin me arsye, derisa gjashtë të tjerë janë evidentuar si të paarsyeshme. Klasa pati një sukses prej 4,2 notën mesatare”, thotë Mejdi Musliu, profesor në Gjimnazin Shoqëror “Zenel Hajdini” në Gjilan, angazhimi i të cilit duhet të shërbejë si shembull edhe për mësimdhënësit tjerë në Kosovë, ngase vijueshmëria e rregullt dhe disiplina janë parakushte për mësimnxënie sa më të madhe nga nxënësit tanë./kryelajmi.com/.

You Might Also Like