Për dy javë rresht, Klubi i Motoristëve MC 06 nga Gjilani do të jetë nikoqir i 30 motoristëve nga Klubi KMS Racing nga Cyrihu, Zvicër. Ky grup përfshin motoristë nga e gjithë Zvicra, të cilët janë anëtarë të klubit të njohur KMS Racing. Ky është viti i dhjetë që nga viti 2012, kur Gjilani mirëpret këta entuziastë të motorëve.
Organizatori i kësaj vizite është Alban Beqiri, njëherësh edhe drejtor sportiv i klubit MC 06 nga Gjilani, i cili është i nderuar me bashkëpunimin e gjatë dhe miqësinë e ndërtuar me motoristët zviceranë.
“Kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm që nga viti 2012 me këta motoristë, të cilët janë profesionistë me përvoja të gjata në gjithë Evropën dhe më gjerë. Qëllimi ynë është të sensibilizojmë dhe promovojmë sportin e motorizmit jo vetëm në Kosovë, por edhe në nivel ndërkombëtar. Gjatë këtyre dy ditëve, jemi duke eksploruar bukuritë natyrore që ofron vendi ynë, duke i prezantuar mikpritjen dhe atraksionet e Kosovës,” tha Beqiri.
Motoristët nga Zvicra kanë shprehur admirimin e tyre për mikpritjen dhe bukuritë natyrore të Kosovës, dhe ky bashkëpunim po shërben si një mundësi për të promovuar vendin tonë dhe për të nxitur investime të mundshme. Për më tepër, është planifikuar organizimi i garave ndërkombëtare në të ardhmen, duke forcuar më tej lidhjet sportive dhe kulturore midis Kosovës dhe Zvicrës.