Kosova dhe Suedia janë përballur në volejboll në konkurrencën e femrave, ndeshje në të cilën me plotë meritë ka fituar ekipi suedez me rezultat 3:0 në sete.
Me gjithë humbjen, Kosova ka patur një paraqitje shumë të mirë, sidomos në dy setet e para, derisa ekipi kosovar u dorëzua plotësisht në setin e tretë, të cilin e humbi bindshëm.
Fillimisht vashat tona, qëndruan shumë mirë deri në përfundim të setit të parë, të cilin e humbën me rezultat 21:25. Në këtë pjesë të lojës janë dalluar sidmos lojtaret e Dritës së Gjilanit, Jaha, Kadriu e Shabani, derisa edhe në mbrojtje shumë e mirë ishte Hyseni, mirëpo vendosi blloku i fuqishëm i mysafireve.
Në setin e dytë vashat tona luajtën edhe më mirë dhe ishin shumë afër që t’a fitojnë setin, por ato u ndalën në pikën 23, kurse mysafiret të udhëhequra nga lojtaret shtatlarta Haak dhe Laziq ia dolën që të ngadhënjejnë në këtë set me rezultat 23:25.
Në setin e fundit lojtaret tona sikur u lodhën, andaj kryetrajneri Lorik Ilazi u dha rastin lojtareve më të reja dhe Kosova u ndal në vetëm dhjetë pikë.
Para kësaj loje, po në Gjilan u luajt ballafaqimi në mes të Kosovës dhe Austrisë, të cilin me plot meritë dhe bindshëm e fituan austriakët me rezultat 3:0.