Gjilan

KPF i rekomandon Kuvendit emërimin e një nënkryetari si dhe zgjedhjen e një zëvendëskryesuesi për komunitete

Gjilan, 16 korrik 2020 / Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka mbajtur sot dy takime, nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ku ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal: propozimin për emërimin e nënkryetarit të Komunës për komunitete, zgjedhjen e zëvendës kryesuesit të Kuvendit të Komunës për komunitete, pastaj raportin financiar janar-qershor 2020, draft rregulloren për procedurën e ndërtimit të objekteve me karakter të përkohshme në pronat e personave fizikë dhe juridikë, propozim vendimin për këmbimin e pronës private me pronën komunale sipas PRRU “Gllama” dhe PRRU “Dheu i Bardh-1”.

Po ashtu, KPF ka rekomanduar për Kuvend edhe propozim vendimin për kompensimin e Komisionit për ndarjen e bursave, propozim vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për emërimin e Komisionit komunal të aksionarëve në NPL “Stacioni i Autobusëve” dhe vendimit për NPL “Tregu” si dhe është informuar rreth zhvillimit të punimeve në qendrën e qytetit dhe në lagjen “Dardania”.

Në takimin e dytë, KPF ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Draft-rregulloren për organizmin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Shërbimin civil komunal, projekt-rregulloren për kutitë e ankesave në institucionet e arsimit para universitar, Kodin e etikës, planifikimin e lokacionit për vendosjen e trafo stacionit në lagjen “Arbëria”, propozim vendimin për miratimin e nismës së Kryetarit të Komunës së Gjilanit, për bashkëpunim me komunat fqinje, në fushën e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, iniciativën për themelimin e Qendrës kulturore evropiane, emërtimin e AMF në fshatin Shurdhan me emrin “Mihrije Kadriu Hasani” si dhe raportet e punës së Komisionit komunal të aksionarëve të ndërmarrjeve publike “Ecohigjiena” dhe “Tregu”.

Propozimi për emërimin e nënkryetarit të Komunës për komunitete, si dhe zgjedhja e zëvendës kryesuesit të Kuvendit nga radhët e komuniteteve, kanë qenë dy pikat që më së shumti kanë nxitur debat.

Opozita ka insistuar se zgjedhja e nënkryetarit për komunitete si dhe e zëvendës kryesuesit të Kuvendit, është në kundërshtim me ligjin mbi vetëqeverisjen lokale dhe statutin e Komunës, sepse komunitetet nuk

përbëjnë 10 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë, derisa pozita e ka mbrojtur qëndrimin se Komuna e Gjilanit i ka pasur edhe më herët këto dy pozita dhe se është kërkesë e ambasadave dhe donatorëve ndërkombëtarë që ato të jenë përsëri.

Megjithatë, me katër vota për dhe 3 kundër, KPF i ka rekomanduar për Kuvend edhe këto dy pika.

Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese, ka thënë se Komiteti është trupë rekomanduese, ndërsa Kuvendi është ai që merr vendime për çështjet e propozuara, ligjshmëria e të cilave pastaj verifikohet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Në të vërtetë, emërimi i nënkryetarit si dhe zgjedhja e një zëvendës kryesuesi për komunitete, kishin qenë edhe më herët në rend ditë te KPF, por nuk kishin kaluar si propozime, me të njëjta arsye.

Kuvendi Komunal do t`i mbajë dy seanca të ndara brenda muajit korrik, për arsye të grumbullimit të pikave të rendit të punës, shkaku i gjendjes së pandemisë si dhe nevojës që Kuvendi të pushojë në muajin gusht.

You Might Also Like