Me rastin e 26 vjetorit të Betejës së Koshares, kryetari i Komunës Gjilanit, Alban Hyseni, ka përkujtuar të rënët e Betejës së Koshares.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, tha se më 9 prill 1999 nisi Beteja e Koshares, një nga momentet më të lavdishme të historisë sonë të re dhe ndër përballjet më të ashpra të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër regjimit serb.
“Në këtë betejë të lavdishme u dallua komandanti dhe strategu Agim Ramadani, emri i të cilit mbetet përjetësisht i gdhendur në kujtesën tonë kombëtare”, tha Alban Hyseni.
Më tej i pari i Gjilanit, theksoi se me guxim, vizion dhe sakrificë, ai udhëhoqi forcat çlirimtare drejt thyerjes së kufirit, duke shënuar një kthesë historike në luftën për liri.
“Gjilani krenohet me bijtë e vet që dhanë gjithçka për Kosovën e lirë dhe të pavarur. Lavdi të rënëve për liri. Nderim i përjetshëm për heroin Agim Ramadani dhe të gjithë luftëtarët e Koshares”, tha kryetari Alban Hyseni.