Gjilan, 30 mars / Kuvendi Komunal i Gjilanit, nën drejtimin e Arianit Sadikut, kryesues, ka mbajtur sot seancën e radhës, ku kryetari i Komunës, Alban Hyseni ka prezantuar raportin e punës, të titulluar ‘Një vit qeverisje, një vit transparence, profesionalizëm, llogaridhënie’, ku ai ka folur për gjetjet dhe angazhimet drejt përmbushjes së zotimeve dhe objektivave qeverisëse.
‘Viti ishte i mbushur me aktivitete, punë e projekte për sigurimin e kushteve më cilësore për jetë në komunën tonë’, ka thënë fillimisht kryetari Hyseni, ndërkohë që ka shpalosur angazhimet konkrete sipas sektorëve, duke nënvizuar fillimisht se në administratë tani ofrohen shërbime të pandërprera për qytetarë nga ora 8 deri në orën 16:00
Në “Arbëri” ka filluar ndërtimi i Qendrës së re të Mjekësisë Familjare, me sipërfaqe 373 m2 dhe 8 dhoma kontrolli, një projekt ky me vlerë 340 mijë euro.
Në Zhegër është përuruar çerdhja e re, në Miresh ka nisur ndërtimi i çerdhes, ndërkohë që po punohet edhe në çerdhen e lagjes “Arbëria”.
Në shkollën e mesme teknike dhe shkollën fillore ‘Rexhep Elmazi’ janë kryer fasadimi dhe izolimi i jashtëm, rregullimi i kulmit, rregullimi i nyjave sanitare dhe dyshemeve të klasave si dhe është bërë instalimi i ri i sistemit të ngrohjes.
Është shtuar numri i laboratorëve në shkolla, për të krijuar mundësi më të mëdha për nxënësit, për realizimin e projekteve inovative dhe zhvillim profesional e avancimin në fushën teknologjisë.
Tri dhoma burimore janë hapur në tri shkolla, “Selami Hallaqi” dhe “Musa Zajmi“ në Gjilan dhe “Skënderbeu” në Përlepnicë, për stimulimin dhe zhvillimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.
Sa i përket infrastrukturës, janë trajtuar 32,066 m2 gjatësi rrugë, në kuadër të mirëmbajtjes verore të rrugëve në Dardani, janë ndërtuar rrugë me gjatësi 53, 655 m2 në disa lagje të qytetit dhe fshatrat Llashticë, Demiraj, Nasalë, Haxhaj.
Më se 3520/m gjatësi rrjet të kanalizimit fekal është shtrirë në qytet dhe fshatra, është funksionalizuar ujësjellësi në fshatin Verbicë të Kmetocit, duke siguruar ujin e pijshme për banorët, kurse rrjeti i ndriçimit publik është shtrirë te tregu i veturave, tregu i gjelbër si dhe në fshatin Përlepnicë.
Në Zhegër po bëhet palestra e sporteve, e cila kishte ngecur për disa vite, ndërkohë që po funksionalizohen edhe fushat ndihmëse të futbollit.
Mbështetja për sportin është rritur për 40 mijë euro, bursat për studentë janë dyfishuar për këtë vit, subvencionet në bujqësi janë rritur për 50 mijë euro, ka thënë kryetari Hyseni, duke shtuar se ka shumë projekte në realizim e sipër.
‘Po punojmë për infrastrukturë më të mirë në çdo lokalitet, lagje e fshat të komunës, për kushte më të mira për arsim më cilësor dhe transparencë në procese të rekrutimit, për kushte dhe riorganizim të shërbime në shëndetësi si dhe projekte të tjera’, ka thënë ndër të tjera kryetari Hyseni.
Opozita nuk është pajtuar në shumë pika të raportit me kryetarin e Komunës, përderisa subjektet e koalicionit qeverisës i kanë dhënë mbështetje të plotë punës së kryetarit, të prezantuar në raportin njëvjeçar.
Kryetari Hyseni, i cili është përgjigjur në pyetjet e këshilltarëve, ka thënë se i mirëpret vërejtjet dhe kritikat e opozitës, por ka kërkuar që të mos akuzohet për punët të cilat nuk i kanë bërë të tjerët para tij.
Edhe raporti financiar për vitin 2022, të cilin e ka paraqitur drejtori i Buxhetit, Riad Rashiti, është përcjellë me një debat polarizues pozitë-opozitë, sidomos rasti i inventarizimit të QKMF-së.
Në seancën e sotme, Kuvendi Komunal ka miratuar kërkesën për rritjen e buxhetit nga tejkalimi i realizimit të të hyrave të planifikuara në vitin 2022, kërkesën për bartjen e mjeteve financiare nga të hyrat vetanake te pashpenzuara nga viti 2022 në vitin fiskal 2023, kërkesën për bartjen e mjeteve financiare nga të hyrat vetanake të pashpenzuara nga viti 2021 në vitin fiskal 2023, ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 114,332.79 euro për subvencionimin e NPL “Tregu”, draft planin komunal për menaxhimin e mbeturinave, bashkë me nismën e kryetarit të Komunës për nxitjen e bashkëpunimit ndërkomunal me komunat e regjionit të Gjilanit dhe Ferizajt në sferën e menaxhimit të integruar të mbeturinave.
Kuvendi ka miratuar gjithashtu edhe vendimin për shpalljen e interesit të ligjshëm publik në parcelën nr.146-0 ZK Dobërçan, pastaj raportin e punës të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi për vitin 2022, vendimin për caktimin e lartësisë së kompensimit mujor për anëtarët e komisionit komunal të aksionarëve në KRM “Higjiena”, NLP “Stacioni i Autobusëve” dhe NLP “Tregu”, në shumë prej 200 euro në muaj, plus nga 50 euro për çdo takim të mbajtur, por jo më tepër se katër sosh brenda vitit.
Unanimisht është miratuar edhe kërkesa e Komitetit për Barazi Gjinore për lirimin nga pagesa e çerdhes për fëmijë të nënave vetushqyese.
Po ashtu, Kuvendi është informuar edhe për suksesin e nxënësve në gjysmë vjetorin e parë të vitit shkollor 2022-2023.
Kuvendi i ka dhënë mbështetje propozimit që lulëkuqja me katër petale të jetë simbol i gjenocidit në Kosovë.
Njëherësh, Kuvendi ka miratuar edhe propozimin e Bujar Nevzatit (PDK) që në komisionin për kërkesa dhe ankesa në procesin e emërimit të rrugëve të zëvendësohet me Shefik Surdullin nga i njëjti subjekt politik.