Gjilan

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, përlotet në mbledhjen komemeorative për Tahir Muratin

Kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni është përlotur dhe nuk ka mundur fare të qet zë nga dhembshuria për ndarjen nga jeta e Tahir Muratit. Kjo ka ndodh në mbledhjen përkujtimore që e ka organizuar klubi i basketbollit Drita për ish basketbollistin dhe trajnerin e këtij klubi, Tahir Murati, i cili para tri dite ndërroi jetë në Francë, nga një sëmundje e rëndë dhe e pashëruar. Kryetari Hyseni tepër i emocionuar, duke ju kërkuar falje të pranishmëve, vetëm i ka ngushëlluar familjarët e ish trajnerit të tij, Tahir Muratit. Në emër të KB Drita, të pranishmit i ka përshëndet Arben Bislimi, bashkëlojtar i Tahirit . Ai ndër tjera ka thënë : “Lajmi për vdekjen e hershme dhe të papritur të Tahir Muratit, i ka tronditur thellë të gjithë njerëzit dhe kolegët që e njohën atë dhe që patën rastin të bashkëpunojnë me të, prandaj jemi mbledhur sot në këtë takim koomemorativ për t’a kujtuar dhe nderuar jetën dhe kontributin e mikut dhe basketbollistit të njohur gjilanas e kosovar Tahir Murati.”.

Ai me përkushtim e me nder, pa u ndalë punoi në shërbim të sportit, në avancimin e vlerave sportive dhe në zhvillimi e rritën e basketbollit në Gjilan. Përmes kontributit dhe angazhimit të tij, basketbolli në qytetin tonë rreth vetit kishte mbledhur gjenerata të tëra, të cilët e ngritën lart këtë sport. “Tahir Murati, qysh i ri ishte mishëruar me lojën e basketbollit dhe këtij sporti nuk iu nda as në kohët më të vështira për sportin kosovar, në kohën kur në vendin tonë tentohej të ngulfatet çdo aktivitet politik, kulturor, arsimor e sportiv”, ka thënë Bislimi. Sipas tij, pikërisht në këto kohë, Tahir Murati dhe bashkëlojtarët e tij nuk u zmbrapsen, por shtuan aktivitetin dhe në këtë kohë ia arritën që klubin e tyre ta shpallin kampionë në nivel vendi. Aktiviteti sportiv i Tahir Muratit nuk pushoi as pas luftës dhe ai ishte pjesë e rritës së KB Drita, e cila tashmë po e mbushte sallën përplot. Tërë dijen jetësore dhe mësimet që i kishte marrë në sport, Tahir Murati më pas u angazhua që t’i përçojë tek gjeneratat e reja, gjithnjë duke kultivuar frymën sportive, të shoqërimit e të bashkëpunimit me të gjithë. Ai dëshmoi vullnet e përkushtim të palëkundur. Angazhimi i tij ka lënë gjurmë të thella në basketbollin gjilanas. Ai ka lënë mbresa të pashlyeshme te të gjithë ata me të cilët punoi e bashkëpunoi. Vdekja e tij e hershme ka lënë zbrazëti në sportin tonë dhe mungesa e tij do të ndjehet për një kohë të gjatë. Ai punoi për basketbollin, për Gjilanin, fuqizimin e sportit dhe do të mbetet pjesë e historisë dhe e arritjes së sukseseve tona. Mbi të gjitha, ai e deshi familjen e tij, për të cilët punoi e sakrifikoi edhe atëherë kur sëmundja e rëndë e kishte kapluar. Ai i dha familjes kurajo për jetë, fëmijëve të tij për t’u bërë nxënës të mirë, punëtorë, të zellshëm e qytetarë të ndershëm. Kujtimi për Tahirin si njeri plot energji e pozitivitet do të mbetët gjithmonë në mendjett tona. Ai do t’i mungojë miqve e shokëve, por më së tepërmi do t’i mungojë familjes, të cilën aq shumë e deshti, por e cila, ashtu siç i kishte porositur Tahiri do të gjejë forcë për të përballuar këto çaste të vështira. Në emër të familjes një fjalë rasti dhe emocionues e mbajti , bija e tij, Florentina Ramizi, e cila i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje dhe organzimi të këtij përkujtimi.

You Might Also Like